Vllaznia në volejboll për meshkuj ka fituar në ndeshjen e fundit në grup ndaj Elbasanit dhe si rrjedhojë është renditur në vendin e dytë duke u kualifikuar për në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Ndeshja në mes këtyre dy skuadrave është luajtur pasditen e sotme në pallatin e sportit “Tomor Sinani” të Elbasanit.
Volejbollistët shkodranë janë treguar më të saktë duke e dominuar krejt takimin dhe në fund kanë fituar me rezultatin e pastër 3-0. Seti i parë është mbyllur 25-19, ndërsa dy të tjerët me të njëjtin rezultat 25-18 dhe në këtë mënyrë janë kthyer me një trepikësh nga Elbasani.
Ai i ka ngjitur në kuotën e 11 pikëve duke qenë të pozicionuar në vendin e dytë në grupin B pas Tiranës kryesuese me 16 pikë. Fitorja e djeshme e kësaj të fundit ndaj Erzenit, i hapi rrugën kualifikimit të sotëm të Vllaznisë.
Në gjysmëfinale ajo do të ndeshet me Partizanin, një skuadër shumë e fortë, por djemtë e drejtuar nga trajneri Artan Kalaja do të tentojnë të bëjnë më të mirën dhe të shkojnë në finalen e këtij kompeticioni.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


