Ernest Muçi është kthyer në personazhin kryesor te Trabzonspori dhe me golat e tij po mban këtë skuadër ende në garë në luftën për titullin. Ai ka shënuar gola shumë të rëndësishëm që kanë sjellë pikë të arta për ekipin si sot ndaj Kocaelispor.
Muçi shënoi golin e fitores në shtesë dhe ndihmoi ekipin të merrte tre pikë të rëndësishme në rrugëtimin e kësaj skuadre që vazhdon të ndjekë nga afër kreun. Por në fund të ndeshjes, ndërsa priteshin vetëm lëvdata për sulmuesin i cili shënoi golin e tij të 8 në këtë kampionat, trajneri i Trabzonspor, Fatih Teke, ka çuditur duke lëshuar kritika në adresë të Mucit.
“Dëshira dhe ambicia e Ernest Muçit është shumë e mirë, por ai nuk është në nivelin që ne duam. Unë ia kam thënë edhe atij këtë. Ne duhet të bëjmë më mirë në fazën mbrojtëse.
Falë Zotit ne morëm 3 pikët, përndryshe do të ishim duke folur për gjëra të tjera”, ishte përgjigja e trajnerit pas ndeshjes që la shumëkënd të habitur, pasi bëhej fjalë për një kritikë ndaj një prej lojtarëve më në formë në kampionatin turk.


