E gjithë skuadra festoi nën tribunën “Sud”, ndërsa Massimiliano Allegri, në dhomat e zhveshjes, shkarkoi tensionin dhe shijoi një tjetër fitore që nuk do të hyjë në librat e estetikës, por që sjell tri pikë shumë të rënda në renditje. Fitorja ndaj Lecce, falë golit të Füllkrug, që theu murin e ngritur nga Falcone, i lejon Milanit të qëndrojë pranë Interit dhe të shkojë me besim te ndeshja e javës së ardhshme kundër Romës, një përballje kyçe në garën për titullin.
“Me pesë zëvendësime, ndërrimet janë vendimtare, – tha Allegri. – Füllkrug solli freski fizike dhe mendore. Një tjetër gol nga një zëvendësues? Fullkrug ka gjithçka: intuitë, fat, prezencë, freski. Skuadra po bën një rrugëtim të rëndësishëm. Jemi vetëm në gjysmën e punës drejt objektivit tonë, kthimi në Champions. Aktualisht, duke bërë llogaritë, kuota është 74 pikë. Kuota për titullin është 86/88 pikë”.
Allegri shtoi se duhet më shumë saktësi në pasimin final dhe më shumë qartësi në 20 metrat e fundit, duke vlerësuar përmirësimin në pjesën e dytë. Pas fitores ndaj Lecce, Allegri u ndal te individët. Për Jasharin: “Luajti një ndeshje shumë të mirë për menaxhimin e topit dhe intensitetin e vrapimit”. Për Füllkrug: “Është stërvitur pak me West Ham, pastaj mori atë goditje në këmbë. Është një zgjidhje e rëndësishme për minutat e fundit”.
Për Ricci: “Luajti mirë, është inteligjent, vertikal kur duhet të futet”. Për Estupiñán: “Nuk ishte e lehtë për të, luajti një ndeshje të mirë”. Komenti për Füllkrug erdhi pas pyetjes për mundësinë e tridentit Pulisic–Füllkrug–Leão që nga fillimi. Allegri ishte i qartë: “Mund të luajmë me shumë çifte, por duhet më shumë saktësi në pasimet e fundit, më shumë qartësi, shpejtësi, pa nxituar”. Mesazhi? Milani do të vazhdojë me dy sulmues, jo tre./telesport/


