Shkruar nga Endri ÇINARI
Në prag të ndeshjes së shumëpritur ndaj Dinamos, e vlefshme për javën e 20-të të Superiores, Vllaznia pritet t’i qëndrojë besnike formulës që i solli suksesin minimal, por tejet të rëndësishëm, 1-0 përballë Egnatias.
Sipas të gjitha gjasave, trajneri Martini nuk ka ndërmend të ndryshojë formacionin fitues, pavarësisht ndonjë dileme të vogël që mund të lindë në repartet anësore. Stafi teknik duket i bindur se vazhdimësia dhe stabiliteti janë çelësi për të përballuar një kundërshtar direkt si Dinamo.
Nga porta pritet ta nisë sërish Pohls, i cili tashmë është shndërruar në një pikë referimi dhe sigurie për kuqeblutë, falë paraqitjeve të qëndrueshme javët e fundit. Në repartin e mbrojtjes, Gjini dhe Gurishta konsiderohen titullarë të padiskutueshëm, ndërsa Çelikoviç ka fituar hierarki falë paraqitjeve pozitive dhe rendimentit në rritje.
Mesfusha pritet të mbështetet te treshja Krymi–Kallaku–Qato, që po kalon një moment shumë të mirë forme dhe po garanton ekuilibër, intensitet dhe cilësi në ndërtimin e lojës. Nga krahët, në të djathtë pritet të aktivizohet Mala, ndërsa në të majtë Jago, megjithëse ekziston edhe ideja që Kastrati të nisë nga e djathta, në varësi të strategjisë për ndeshjen.
Në repartin ofensiv, Martini do t’i besojë dyshes Bismark–Balaj, një kombinim force fizike dhe eksperience, që mund të krijojë jo pak probleme për mbrojtjen dinamovite. Prania e tyre përpara pritet të jetë një armë e fortë për Vllazninë në atë që konsiderohet si ndeshja më e fortë e raundit të 20-të në Superiore.
Kuqeblutë synojnë të konfirmojnë momentin pozitiv dhe të marrin maksimumin përballë një rivali direkt, në një duel që pritet të jetë vendimtar për vazhdimësinë e kampionatit
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


