Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia pritet të jetë e kompletuar plotësisht në fillimin e muajit shkurt, një lajm pozitiv për kampin shkodran në një moment të rëndësishëm të sezonit. Pas një periudhe jo të lehtë me mungesa dhe probleme fizike, kuqeblutë po shohin gradualisht rikthimin e të gjithë elementëve në gjendje optimale, duke rritur konkurencën dhe alternativat për stafin teknik.
Prej disa javësh me skuadrën është bashkuar edhe Aleksandër Kuros, i cili ka lënë pas momentin e vështirë dhe tashmë është në dispozicion të plotë. Ndërkohë po ashtu edhe Hakaj po rikuperohet nga një problem i vogël fizik që e ka shoqëruar dhe pritet shumë shpejt të jetë pjesë e ndeshjeve. Paralelisht, futbollistë kyç si Mala, Kallaku dhe Balaj po shfaqin formë shumë të mirë, duke konfirmuar rëndësinë e tyre në strukturën e lojës së Vllaznisë dhe duke i dhënë më shumë garanci ekipit në të gjitha repartet.
Aktualisht, i vetmi i munguar mbetet mesfushori moldav Kristian Dros, i cili prej rreth tre muajsh nuk ka qenë i disponueshëm për kuqeblutë. Megjithatë, sipas burimeve pranë klubit, ish-futbollisti i Elbasanit pritet të rikthehet në fillim të muajit të ardhshëm, një rikthim që do të kompletojë përfundimisht organikën e 9 herë kampionëve të vendit.
Me rikthimin e Drosit, trajneri Martini do të ketë çdo futbollist nën dispozicion, duke i dhënë Vllaznisë një luks të rrallë në këtë fazë të sezonit. Edhe pse mungesa e 27-vjeçarit nuk është ndjerë realisht, falë opsioneve të shumta në mesfushë, rikthimi i tij do të shtojë më shumë cilësi dhe thellësi në skuadër, duke e bërë Vllazninë edhe më konkurruese për objektivat e saj.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


