Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia vazhdon të imponojë ritmin në Kategorinë Superiore, duke u konfirmuar si skuadra me repartin ofensiv më produktiv të kampionatit. Pas 23 javësh, kuqeblutë kanë realizuar 30 gola, më shumë se çdo ekip tjetër i elitës shqiptare, duke lënë pas Elbasanin, Egnatian dhe Dinamon, që ndjekin me nga 28 gola secila.
Shifrat janë tregues i qartë i forcës sulmuese të skuadrës së drejtuar nga Martini, një ekip që ka ditur të ndërtojë identitet përmes lojës vertikale, ritmit të lartë dhe konkretizimit përpara portës. Edhe në momentet kur protagonisti kryesor ka pasur një ndalesë të vogël, Vllaznia ka gjetur alternativa.
Bekim Balaj, golashënuesi më i mirë i kampionatit me 11 realizime, nuk e ka gjetur rrjetën në takimet e fundit, por pesha e mungesës së golit të tij është shpërndarë menjëherë te pjesa tjetër e repartit ofensiv. Dhe pikërisht këtu shihet forca e vërtetë e kuqebluve: jo varësi nga një emër i vetëm, por një mekanizëm që funksionon si kolektiv.
Në veçanti, Sherif Kallaku është shndërruar në një “goleador” të vërtetë javët e fundit. Mesfushori me tipare sulmuese ka realizuar 3 gola në 5 ndeshjet e fundit në kampionat, duke u kthyer në një armë shtesë për skuadrën shkodrane. Me 5 gola në total, ai është aktualisht golashënuesi i dytë më i mirë i Vllaznisë, një tregues i qartë i ndikimit të tij në fazën përfundimtare.
Ndërkohë, edhe Mala e Kastrati kanë gjetur rrugën e rrjetës në javët e fundit, duke dëshmuar një formë shumë pozitive të futbollistëve të repartit të avancuar. Larmia e autorëve të golave e bën Vllazninë një skuadër të paparashikueshme dhe të vështirë për t’u markuar.
Ky shpërthim kolektiv në fazën sulmuese është një garanci e fortë për vazhdimësinë e rezultateve pozitive nga java në javë. Me një repart që prodhon 30 gola në 23 javë dhe me disa alternativa që marrin përgjegjësi në momentet kyçe, Vllaznia jo vetëm që kryeson renditjen e sulmit, por jep sinjale të qarta se është e gatshme të luftojë deri në fund për objektivat madhorë të sezonit.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


