Friday, February 27, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORETë gjithë gati, ja si pritet sot formacioni i Vllaznisë

Të gjithë gati, ja si pritet sot formacioni i Vllaznisë

Shkruar nga Endri ÇINARI

Në prag të javës së 26-të të kampionatit, vëmendja e futbollit shqiptar përqendrohet te “klasikja” mes Vllaznisë dhe Tiranës, një duel që gjithmonë prodhon emocione dhe spektakël. Në këtë përballje me bardheblutë, kuqeblutë vijnë me një lajm të madh: grupi është totalisht i plotë, duke i dhënë stafit teknik luksin e zgjedhjeve dhe alternativave në çdo repart të fushës.

Për trajnerin Edi Martini, kjo situatë përkthehet në qetësi dhe besim përpara një sfide kaq delikate. Shkodrani pritet të hedhë në fushë formacionin më të mirë të mundshëm, duke mos kursyer asnjë nga titullarët, në një ndeshje ku objektivi i vetëm është fitorja. Diferencat në renditje dhe rivaliteti historik e bëjnë këtë takim edhe më të ndezur.

Në portë do të jetë sërish Pohls, një nga pikat më të forta të skuadrës këtë edicion. Gardiani ka dhënë garanci gjatë gjithë sezonit me pritje vendimtare dhe siguri në dalje, duke qenë një element kyç në prapavijën kuqeblu. Para tij pritet të rreshtohet një mbrojtje me tre futbollistë: Gjini, Gurishta dhe Bajrami, një repart që kombinon eksperiencën me forcën fizike dhe disiplinën taktike.

Në mesfushë rikthehet si titullar në krahun e djathtë Kastrati, duke shtuar dinamizëm dhe thellësi në lojën anësore. Në të majtë do të veprojë Jago, ndërsa qendra pritet të kompletohet nga Qato, Krymi dhe Kallaku. Ky repart do të ketë detyrën e dyfishtë: të balancojë skuadrën në fazën mbrojtëse dhe të furnizojë sulmin me topa cilësorë, sidomos në tranzicionet e shpejta.

Në vijën e parë të sulmit do të rikthehet Balaj, i cili mungoi në sfidën e fundit ndaj Bylis për shkak pezullimi. Prezenca e tij pritet t’i japë më shumë peshë dhe efikasitet repartit ofensiv. Ai do të ketë mbështetjen e Males, me dyshen që synon të vërë në vështirësi mbrojtjen bardheblu që në minutat e para.

Me grupin e plotë, me rikthime të rëndësishme dhe me moral të lartë, Vllaznia shkon drejt kësaj “klasikeje” me besim maksimal. Në një ndeshje ku historia, krenaria dhe objektivat sezonalë ndërthuren, kuqeblutë e dinë se vetëm tre pikët do të mjaftonin për të përmbushur pritshmëritë e tifozërisë shkodrane.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments