Rey Manaj po konfirmon se rikthimi te Sivasspor ishte lëvizja e duhur për të rigjetur shkëlqimin e tij. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka qenë sërish protagonist në Ligën e Parë turke, duke shënuar golin e vetëm dhe vendimtar në fitoren 1-0 të skuadrës së tij në transfertën ndaj Serik Spor.
Goli erdhi në minutën e 48-të, menjëherë pas nisjes së pjesës së dytë, ku 29-vjeçari u tregua gjakftohtë para portës pas një pasimi perfekt të marrë në zonë.
Ky sukses i jep frymëmarrje Sivassporit, që ngjitet në kuotën e 38 pikëve në mesin e tabelës. Statistikat e Manajt që pas transferimit të tij në merkaton e dimrit janë tejet pozitive.
Në vetëm 5 ndeshje të luajtura, ai ka arritur të shënojë 4 gola dhe të dhurojë 1 asist. Pas periudhës së vështirë në Emiratet e Bashkuara me ekipin e Sharjah, Manaj po tregon një formë të lartë, duke u bërë një opsion serioz për sulmin e Silvinjos në prag të sfidës së madhe të marsit kundër Polonisë.


