Shkruar nga Gjergj KOLA
Belajdi Pusi nuk ka ndër mend të ndalet. Sulmuesi shkodran e ka bërë këtë gjë edhe sot në ndeshjen e rradhës për kampionatin “First League” të Rusisë në mes skuadrës së tij Fakel dhe Ural. Një sfidë shumë e fortë sepse përballeshin dy skuadrat që kryesojnë kampionatin.
Ka qenë minuta e 43-të e ndeshjes, kur pas një aksioni të gjatë, Pusi ka kombinuar me një nga shokët e skuadrës brenda zonës dhe ky i fundit ia ka nxjerrë bukur topin. Si rrjedhojë 28 vjeçari nga Shqipëria nuk ka hezituar të godasë saktë dhe sfera ka përfunduar në rrjetën e portës kundërshtare.
Ky gol ka mjaftuar që Fakel të merrte një trepikësh me shumë vlerë me të cilin është ngjitur në kuotën e 51 pikëve duke qenë i vetëm në krye të renditjes dhe i shkëputur plot 10 pikë nga Ural i vendit të dytë.
Dhe në këtë ecuri të shkëlqyer të Fakel padiskutim që një meritë të madhe ka edhe sulmuesi Belajdi Pusi. Goli i shënuar prej tij sot ishte i 14-ti në këtë kampionat dhe si rrjedhojë ai udhëheq me meritë renditjen e golashënuesve më të mirë. Një gjë duket e sigurtë: Sezonin e ardhshëm Pusi, si me Fakel apo me ndonje skuadër tjetër, do të luajnë në Premier League të Rusisë. Një sukses ky për ish- sulmuesin e Vllaznisë dhe Skënderbeut.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


