Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia vazhdon të konfirmohet si një nga skuadrat më konstante në kupën e Shqipërisë gjatë viteve të fundit. Në pesë sezonet e fundit, kuqeblutë kanë arritur gjithmonë të paktën deri në gjysmëfinale, një tregues i qartë i seriozitetit dhe ambicies me të cilën klubi shkodran e ka trajtuar këtë kompeticion. Për një skuadër me histori dhe traditë, kupa ka qenë jo thjesht objektiv, por një rrugë konkrete drejt trofeve.
Sezonet 2020-21 dhe 2021-22 mbeten ndër më të suksesshmit në historinë e viteve të fundit për 9 herë kampionët e vendit. Në edicionin 2020-21, Vllaznia triumfoi në finale ndaj Skënderbeu me rezultatin minimal 1-0, duke ngritur trofeun pas një paraqitjeje solide dhe mjaft pragmatiste. Një vit më pas, në sezonin 2021-22, shkodranët përsëritën suksesin, kësaj here ndaj Laçi, në një finale dramatike të fituar 2-1 pas kohëve shtesë. Dy trofe radhazi që rikthyen entuziazmin dhe konfirmuan rikthimin e Vllaznisë në elitën e futbollit shqiptar.
Në edicionet 2022-23 dhe 2023-24, rrugëtimi i kuqebluve u ndal në gjysmëfinale, në të dyja rastet nga Egnatia. Skuadra rrogozhinase jo vetëm që i eliminoi shkodranët, por më pas arriti të fitonte kupën në të dy sezonet respektive, duke i dhënë edhe më shumë peshë dueleve të zhvilluara. Për Vllazninë, këto eliminime mbetën një peng, por njëkohësisht dëshmi se skuadra kishte qenë sërish protagoniste deri në fazat më të nxehta të kompeticionit.
Edhe në sezonin 2024-25, Vllaznia arriti në gjysmëfinale, ku u përball me Dinamon. Kryeqytetasit dolën fitues nga ai duel dhe më pas ngritën trofeun, duke ndjekur të njëjtin skenar si Egnatia në dy sezonet pararendëse. Për të tretin vit radhazi, shkodranët u eliminuan nga skuadra që do të fitonte kupën, një statistikë që nënvizon faktin se Vllaznia ka qenë gjithmonë në prag të finales.
Në edicionin 2025-26, historia duket se mund të përsëritet sërish në favor të kuqebluve. Pas suksesit 0-1 në transfertë ndaj Bylis në çerekfinalen e parë, Vllaznia është shumë pranë një tjetër gjysmëfinaleje. Shifrat e viteve të fundit e konfirmojnë qartë se kupa mbetet një objektiv madhor sezonal për klubin shkodran. Me traditën, eksperiencën dhe urinë për trofe, kuqeblutë synojnë të rikthehen sërish në finale dhe të luftojnë për një tjetër kapitull të artë në historinë e tyre.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


