Shkruar nga Endri ÇINARI
Sulmuesi shkodran Belajdi Pusi po vazhdon të shkëlqejë në futbollin rus, duke u kthyer në një nga protagonistët kryesorë të këtij sezoni me fanellën e Fakel. Me rifillimin e kampionatit për fazën pranverore, 28-vjeçari nuk ka humbur kohë për të lënë gjurmë, duke gjetur menjëherë rrugën e rrjetës dhe duke konfirmuar momentin e shkëlqyer që po kalon.
Në ndeshjen e parë të vitit 2026, Pusi ishte vendimtar për skuadrën e tij në përballjen ndaj Ural. Sulmuesi shqiptar realizoi golin e vetëm të takimit, duke i dhuruar Fakelit një fitore minimale 1-0 dhe tre pikë shumë të rëndësishme në garën për objektivat e sezonit. Një gol që jo vetëm vendosi fatin e sfidës, por edhe tregoi instinktin e tij të jashtëzakonshëm para portës.
Për Pusin ky ishte goli i 14-të sezonal, një shifër që e vendos në krye të listës së golashënuesve të kampionatit. Forma e tij mbresëlënëse po reflektohet drejtpërdrejt edhe në ecurinë e skuadrës, pasi Fakel po udhëheq bindshëm renditjen me 51 pikë pas 22 javësh, plot 10 pikë më shumë se ndjekësi më i afërt, pikërisht Ural.
Merita për këtë ecuri të jashtëzakonshme është në masë të madhe edhe e sulmuesit shkodran, i cili po përjeton ndoshta momentin më të artë të karrierës së tij futbollistike. Me gola vendimtarë dhe performanca të vazhdueshme në nivele të larta, Belajdi Pusi po shndërrohet në liderin e Fakelit dhe në një nga emrat më të spikatur të kampionatit rus në këtë sezon.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


