Nga Maringlen ZHIVANI
Burreli u përball me Ilirinë e Fushë-Krujës në shtëpi ditën e shtunë, në një ndeshje që përfundoi në barazim pa gola, 0-0. Megjithatë, në kampin matjan pas kësaj sfide janë shfaqur pakënaqësi në lidhje me gjykimin e takimit nga arbitri shkodran Bekris Dragusha. Sipas drejtuesve të Burrelit, skuadra e tyre është dëmtuar në një moment të ndeshjes, ku pretendojnë për një penallti të padhënë në favor të tyre.
Drejtori sportiv i klubit, Klevis Gjoka, ka reaguar fillimisht përmes një postimi në rrjetet sociale, duke shprehur rezervat e tij për disa vendime të arbitrit. Poashtu, në një komunikim me “Shkodra Sport”, Gjoka shprehu pakënaqësi për arbitrimin, teksa ai theksoi se, sipas tij, skuadra e tij u penalizua në atë episod.
“Kam kaq vite në futboll dhe më vjen keq kur në ndeshje të tilla krijohen polemika për vendime arbitrimi. Sipas mendimit tim, ishte një penallti e pastër në favorin tonë që nuk u akordua. Më vjen keq edhe sepse bëhet fjalë për një arbitër të ri me perspektivë si Bekris Dragusha. Shpresoj që në të ardhmen të ketë më shumë kujdes në vendime të tilla, pasi në lojë është edhe investimi dhe puna e një qyteti si Burreli”, – u shpreh drejtori sportiv i Burrelit, Klevis Gjoka.


