Shkruar nga Gjergj KOLA
Portieri shkodran Gabriel Guri vijon të bëjë mirë me ekipin e të rinjve të Sassuolos dhe padyshim që ka marrë edhe vlerësime pozitive nga ana e stafit teknik dhe e drejtuesve të Akademisë së këtij klubi.
Për të në fakt dita e sotme është e veçantë sepse ai feston 20 vjetorin e lindjes dhe padyshim që urimet e marra kanë qenë të shumta si nga pjestarët e ekipit të tij, por edhe të tjerë. Kemi të bëjmë me një portier i cili premton shumë për të ardhmen dhe jo më kot vëmendja ndaj tij është e madhe edhe nga drejtues të ekipeve të tjera.
Kujtojmë që Guri ka një kontratë njëvjeçare të firmosur me Sassuolon dhe që i mbaron në fund të këtij sezoni, por nga sa bëhet e ditur, ky klub ka dëshirë ta mbajë edhe më tej dhe për këtë arsye në ditët e ardhshme pritet t’i ofrohet një kontratë e re. Por nga ana tjetër, në adresë të menaxherëve Silvio Pagliari dhe Benardin Kulla që e menaxhojnë atë, ka patur sinjale nga disa ekipe të tjera për t’u ulur e për të biseduar në lidhje me të ardhmen e këtij portieri.
Kujtojmë që para se të vinte në Itali, Gabriel Guri u shpall kampion me ekipin U19 të PSG në Francë dhe ky është një tjetër tregues i vlerave të tij. E nëse flasim për vlerat e këtij portieri, ajo që të bën përshtypja është harresa e kombëtares U21 të Shqipërisë për t’i bërë një ftesë për miqësoren e rradhës me Uzbeskitanin e kjo do të ishte edhe një dhuratë e bukur për ditëlindjen e tij, por kjo ftesë këtë herë nuk erdhi.
Megjithatë portieri nga Velipoja i cili karrierën e tij e filloi fillimisht tek Ada e më pas tek Murlani, është i vendosur për të punuar fort dhe për të ecur përpara në karrierën e tij.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


