Flamurtari dhe Vora barazuan sot në ndeshjen e vlefshme për javën e 31-të të “Abissnet Superiore”. Sfida e zhvilluar në stadiumin e Vlorës, përfundoi me shifrat 1-1. Pas këtij dueli ka folur “Lojtari i Ndeshjes”, qendërmbrojtës i vorakëve, Dajan Shehi.
“Normalisht që ishte një ndeshje shumë e fortë, kundër Flamurtarit. Dihet që objektivi ynë është të mbijetojmë në Superiore, jemi të lumtur që ja dolëm që mos të dilnim pa pikë nga Vlora. Ashtu siç shkoi loja duke shënuar ne të parët, mund të shkonte më mirë, por kështu është futbolli, u mërzitëm për këtë pjesë. Sulmuesi më i vështirë në Superiore? Për mua është Bekim Balaj.
Është e vërtetë që duhet të shënojmë. Stërvitemi me trajnerin për të realizuar gol, unë e kam shtatlartësinë, presin që unë të shënoj. Besoj që do të vijë goli shumë shpejtë. Por e rëndësishme është që të marrim pikët dhe të sigurojmë mbijetesën. E rëndësishme për ne mbrojtësit është që ta mbajmë 0 mbrapa dhe t’i lëmë pak eksperimentet. Jemi në një fazë të sikletshme”, tha Shehi.v


