Vllaznia “B” kalon një tjetër pengesë dhe i afrohet edhe më shumë arritjes së objektivit të saj, ngjitjes në kategorinë e dytë të futbollit shqiptar. Pasditen e sotme, ekipi shkodran ka luajtur në fushën sportive “Skënder Halili” të kryeqytetit ndaj Tirana “B” dhe ka fituar me rezultatin e thellë 5-0.
90 minutat e kësaj përballje janë dominuar nga fillimi e deri në fund nga futbollistët kuqeblu të cilët nuk e vunë asnjëherë në dyshim fitoren. Ka qenë sulmuesi Gerald Kubazi ai që ka zhbllokuar shifrat që në minutën e 5-të duke zhbllokuar shifrat e takimit.
Ky gol do t’i hapte rrugën të tjerëve teksa po në pjesën e parë Kubazi do të shënonte edhe një gol tjetër, ashtu siç shënuan edhe Bilal dhe Irdi Zekaj. Në këtë mënyrë ky 45 minutësh u mbyll me shifrat 4-0 në favor të Vllaznia “B”.
Në të dytat ka patur edhe një gol tjetër me autor Allele i cili do të mbyllte kësisoj këtë ndeshje me një diferencë prej 5 golash në favor të ekipit shkodran. Ai kryeson i vetëm kampionatin me 32 pikë, tre më shumë se Dinamo “B” që mban vendin e dytë.
Deri në fundin e kampionatit kanë mbetur edhe katër javë dhe skuadrra shkodrane tashmë është thuajse e sigurtë për ngjitjen një kategori më lart, megjithatë duhet bërë kujdes nga ndonjë e papritur që mund t’ia vinte në dyshim arritjen e këtij objektivi.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


