Monday, April 13, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREDaja nuk përmbahet me futbollistin e tij: Papërgjegjshmëri që nuk duhet ta...

Daja nuk përmbahet me futbollistin e tij: Papërgjegjshmëri që nuk duhet ta bëjë asnjë profesionist

Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, ka deklaruar pas ndeshjes ndaj Bylisit se barazimi i sotëm ishte pasojë e abitrimit, por edhe e papërgjegjshmërisë së Gudiabit i cili mori një të kuq të panevojshëm.

“Le të merren kompetentët me arbitrimin, se nuk do të rri të merrem unë. Ajo që më acaroi më shumë ishte që lojtari ynë merr për 5 sekonda dy të verdhë, në momentin që ishim superiorë. Papërgjegjshmëri për një lojtar. Ne e kishim bërë ndërrimin gati meqë mori një të verdhë, por nuk po dilte topi jashtë. Kjo është gjë që nuk duhet ta bëjë asnjë lojtar profesionist, se nga superioriteti numerik me daljen e Përndrecës, kishim minuta në dispozicion e mund të çonim lojën ku donim. Gjithsesi në Ballsh ka qenë gjithmonë e vështirë, se edhe po të shohësh rezultatet, në të katër fazat kemi pasur barazime. Mendoj se reaguam, por në momente të sforcuar. Më vjen tjetër keq se të marrësh gol nga anësorja, nuk e di nëse ka bërë faull kundër Ditës apo jo, nuk merrem me arbitrat. Por të marrësh gol nga një lojtar jo shtatlartë në zonën e 5 metërshit, nuk duhet të ndodhë me lojtarët që kemi. Ka 3-4 ndeshje, që me Teutën që shumë pak na vijnë në zonë dhe marrim gola shumë të lehtë.

Sigurisht me hyrjen e Metës, ishte me shumë personalitet edhe pse ishte loja e tij e parë. Kemi besim te lojtari, e hodhëm në një ndeshje të vështirë të na shërbente. Për sa kohë luajti, ishte një hyrje e tij e mirë në lojën në sulm.

Mustafa? Bisedova me sulmuesin që duhej të kishte bërë më shumë në këtë ndeshje, se ne shkuam te zona e golit dhe aty qendërsulmuesi është i pari që duhet të shfaqet para portës, sigurisht jo i vetëm se nuk ka çfarë të bëjë, por kishte mbështetjen e të tjerëve nga poshtë. Mund të kishte bërë më shumë por mendoj që akoma nuk është përshtatur me ato që kërkojmë ne. Ai është aktivizuar, por ka ardhur nga Bylisi dhe si duket, akoma nuk ka gjendjen më të mirë të tijën se me një qendërsulmues goli, mundet që ato raste të kishin një eficencë tjetër.

Kishim problem se dihet që Bregu është golashënuesi ynë dhe nuk ishte në lojë. Guindo është lojtar që mund ta përdorim nga fillimi apo për t’i dhënë më shumë thellësi sulmit. Mungesa e Berishës dhe Qefaliajt që janë të gjithë lojtarë ofensivë. Edhe Xhejms sot e përdorëm një pjesë të mirë si mbrojtës krahu, edhe pse është sulmues. Mendoj se me ata që kemi në dispozicion kemi bërë mirë, por kur e barazon ndeshjen me një gol të atillë, sidomos të vjen keq më shumë për atë që bëmë në fazën e mbrojtjes.

Është e dyta apo e treta ndeshje që pësojmë gol të tillë që nuk na lejohet me kualitetin e eksperiencën që kemi në mbrojtje se janë gola të lehtë. Futbolli është lojë gabimesh, do vazhdojmë deri në fund fare që të marrim më të mirën e mundshme nga ky kampionat.

Meqë nuk kemi më ndeshje me Bylisin në këtë kampionat, mund ta them se Dita ka qenë i djathtë vetëm në minutat e parë të lojës se sot në Ballsh duke parë mungesat e mënyrën se si luanin ata e që në mesjavë nuk kishin ndeshje Kupe, menduam të marrim gjerësinë me Nanin dhe Nezirin, Ne sot kemi luajtur, përveç disa minutave, duke mbrojtur me Ditën nga e djathta, por në të gjitha aksionet ndërtuese kemi qenë me 3 stopera. E bëmë që edhe të përdorim lojtarët që kemi në efiçencë, por edhe për shkak të specifikës së fushës së Bylisit që është më e gjerë se fushat e tjerat që janë afër standartit 68 metra.

Sigurisht që të vjen keq, por ka dy anë të medaljes, se në momentin që nuk ke lojtarë si Qefaliaj, nuk luan prej një muaji e gjysmë për shkak të një ndërhyrje në një ndeshje që ka dëmtuar edhe kockën e ka filluar vetëm dje vrapimet i diferencuar. Ka anën tjetër pozitive, nëse ke lojtarët e mirë, mund të jesh edhe fleksibël, edhe në manovër në ndryshimin e lojtarëve në një minutazh edhe më të shpejtë se kampionati dhe Kupa janë të ngjeshura. Kanë anën e mirë se kur ke një kontingjent të limituar, u jep hapësirë lojtarëve të rinj, sicc ishte sot rasti i Metës. Mundet që këto lojtarë që në një të ardhme të shpejtë të na shërbejnë me cilësitë që kanë”, tha Daja për RTSH pas ndeshjes.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments