Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, në prononcimin e tij menjëherë pas fitores së Kupës së Shqipërisë, kritikoi gjyqtarin Enea Jorgji, duke e cilësuar tendencioz drejtimin e elbasanasit. Ai kujtoi edhe problemet që ka pasur në të kaluarën me kryesorin në momente kyç të karrierës së tij.
“Të them të drejtën, meqë sot festojmë, do themi një herë të keqen e kësaj loje, Nuk e di çfarë ka Enea Jorgji. E ka nisur që në Kukës me historinë me Skënderbeun, e ka vazhduar me Partizanin në një ndeshje të parafundit këtu. Dhe sot nuk e marr vesh se si një arbitër i FIFA-s, që nuk e nxorëm as ne me të kuqe se është ndërhyrja e tij që portieri është në spital e tani më thanë ka dalë nga salla e operacionit për qepje, të japë një karton të verdhë të dytë në finale për këndore. Vetëm ai mund ta japë.
Nëse do ta prishë se ka inat Ilir Dajën, të merret me mua personalisht e jo me të tjerët. Se ka president që investon, janë 30 lojtarë që japin shpirtin në 36 javë dhe pjesën e Kupës dhe të vish e të shohësh një arbitër që të nxjerr lojtarin se vonoi një këndore është problem shumë i madh”, ishin kritikat e Dajës ndaj kryesorit në fjalët për RTSH.


