Tek Vllaznia janë të fokusuar maksimalisht për ndeshjen e nesërme ndaj Elbasanit ku padyshim që do të synojnë fitoren, për ta mbyllur me sukses kampionatin, por kuptohet duke patur shpresa edhe për atë se çfarë do të ndodhë në sfidën mes Egnatias dhe Dinamos.
Nga ana tjetër drejtuesit e klubit shkodran mësohet se ditët e fundit kanë qenë shumë aktiv duke punuar fort edhe për sezonin e ardhshëm. Si rrjedhojë, Gazeta “SHKODRA SPORT” mëson se klubi kuqeblu ka rinovuar me plot 7 futbollistë edhe për sezonin tjetër.
Dhe bëhet fjalë për lojtarë me peshë. Duke nisur nga Sherif Kallaku, Lirim Kastrati, Leon Pohls, Edon Murataj, Jasmin Çelikoviç, Klinti Qato dhe Cristian Dros. Ky padyshim që është një lajm shumë i mirë, çka do të thotë se baza e skuadrës është edhe për sezonin e ardhshëm, ndërkohë që atyre u shtohen edhe disa futbollistëve të tjerë që janë nën kontratë.
Me këto 7 futbollistë, pas bisedave të kryera me to, është aktivizuar klauzola e zgjatjes së kontratave siç ka qenë e parashikuar dhe ndërkohë mësohet se në ditët në vijim do të bisedohet edhe me lojtarë të tjerë për të rinovuar edhe me to.
Kuptohet që tek Vllaznia e kanë kuptuar se nuk ka kohë për të humbur sepse Kupat e Europës janë në prag dhe ndeshjet e para të tyre do të luhen në dhjetëditëshin e parë të muajit korrik. Kjo do të thotë se kuqeblutë deri diku e kanë skuadrën të plotësuar dhe në ditët e ardhshme ajo do të plotësohet edhe me lojtarë të tjerë që do të vijnë nga merkatoja.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


