Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia po bëhet gati për sfidën e fundit të sezonit, një përballje vendimtare ndaj Elbasanit ku shkodranët do të luajnë shanset e tyre të fundit për titullin kampion. Edhe pse matematika e renditjes kërkon një “mrekulli” që kuqeblutë të ngjiten në krye, në kampin shkodran vazhdon të ekzistojë besimi se gjithçka mund të ndodhë në 90 minutat finale të kampionatit. Atmosfera në prag të ndeshjes mbetet optimiste dhe skuadra synon ta mbyllë sezonin me një paraqitje dinjitoze dhe me tre pikët e radhës.
Për këtë sfidë, trajneri Martini pritet të bëjë disa ndryshime të rëndësishme në formacion, të diktuara si nga pezullimet, ashtu edhe nga forma jo e mirë e disa futbollistëve në javët e fundit. Stafi teknik ka eksperimentuar gjatë seancave stërvitore të ditëve të fundit, duke kërkuar kombinimin ideal për një ndeshje ku gabimet nuk lejohen dhe ku çdo detaj mund të rezultojë vendimtar.
Në portë pritet ta nisë titullar Pohls, i cili duket se ka besimin e trajnerit për këtë përballje delikate. Përpara tij, në repartin defensiv, pritet të rreshtohen emra si Pusi, Çelikoviç dhe Bajrami, futbollistë që do të kenë detyrën e vështirë për të mbajtur të paprekur portën shkodrane dhe për të frenuar sulmet e Elbasanit.
Mesfusha pritet të ketë një përbërje me Malën dhe Jagonnë nga krahët, ndërsa në qendër Qato, Krymi dhe Kallaku do të formojnë repartin. Pikërisht nga ky repart pritet të vijë edhe ekuilibri i skuadrës, por edhe kreativiteti për të çarë mbrojtjen kundërshtare.
Në repartin ofensiv, përgjegjësia kryesore për golat pritet t’i besohet dyshes Dodaj-Balaj. Sulmuesit shkodranë do të kërkojnë të shfrytëzojnë çdo mundësi përballë portës kundërshtare, në një ndeshje ku Vllaznia nuk ka alternativë tjetër përveç fitores. Tashmë mbetet për t’u parë nëse kuqeblutë do të arrijnë të bëjnë detyrën e tyre në fushë dhe të shpresojnë më pas tek një kombinim rezultatesh që mund t’i dhurojë Shkodrës titullin kampion.


