Ditët e fundit ka patur shumë zhurmë rreth tij, teksa janë thënë e shkruar shumë të pavërteta për arsyet e largimit nga Shkodra të mbrojtësit brazilian Andrey Yago. Në fakt ai nuk u largua dje nga Vllaznia, por ka qenë thuajse i larguar që nga muaji janar. Që atëherë, drejtuesit e klubit shkodran janë ulur disa herë në bisedime me të duke i ofruar rinovimin e kontratës por ai nuk ka pranuar.
Mendja e tij ka qenë për të nisur një eksperiencë të re dhe madje nga sa thuhet prej kohësh ishte në bisedime me Egnatian, por duket se palët nuk kanë rënë dakord nga ana financiare. Për rrjedhojë Andrey Yago ka vijuar të luajë e të jetë pjesë e kuqebluve deri në fund të sezonit siç ka qenë dhe kontrata dypalëshe dhe më pas është larguar.
Një largim jo përmes polemikash siç thuhet e shkruhet, pasi vetë futbollisti brazilian në një postim ka patur vetëm falenderime për të gjithë dhe për mundësinë që Vllaznia i dha për të treguar vlerat e tij pikërisht në një moment kur kishte më shumë nevojë se për gjithçka tjetër. Ja postimi i plotë i tij:
POSTIMI I ANDREJ YAGOS:
“Sot, përshëndetem me një klub që më dha një mundësi kur kisha më shumë nevojë, më besoi në punën time dhe më lejoi të tregoja potencialin tim. Për këtë, do të jem përjetësisht mirënjohës.
Gjatë dy viteve e gjysmë të fundit, pata privilegjin ta vesh këtë fanellë në 96 ndeshje. Po largohem me kujtime, miqësi, mësime të nxjerra dhe momente të panumërta që do t’i mbaj me vete përgjithmonë. Duke parë prapa, mund të them vetëm se isha vërtet i lumtur këtu.
Tifozëve, faleminderit për gjithçka. Më bëtë të ndihem si në shtëpi që nga fillimi. Pasioni, mbështetja dhe dashuria juaj për këtë klub janë diçka e veçantë. Të luaja në “Loro Boriçi” para jush ishte gjithmonë një nder dhe kënaqësi.
E vetmja gjë që mungonte ishte një titull për të festuar së bashku. Doja vërtet të isha në gjendje t’ia jepja këtë këtij klubi dhe tifozëve të tij. Megjithatë, po largohem krenar për gjithçka që arritëm dhe si i përfaqësova këto ngjyra. Faleminderit, Vllaznia”.


