Shkruar nga Endri ÇINARI
Lëvizjet në merkaton e verës kanë nisur të marrin formë dhe një prej emrave që pritet të ndryshojë skuadër është ai i Antonio Delajt. Sulmuesi 22-vjeçar shkodran, sipas asaj që mëson gazeta “Shkodra Sport”, ka mbyllur zyrtarisht bashkëpunimin me Elbasanin, duke i dhënë fund aventurës së tij me fanellën verdheblu pas vetëm një sezoni.
Delaj iu bashkua Elbasanit me pritshmëri të mëdha, por gjatë kampionatit nuk arriti të gjente hapësirat që priste për të shfaqur potencialin e tij. Aktivizimet e pakta dhe mungesa e vazhdimësisë bënë që sulmuesi të mos ishte protagonist, ndërsa në fund të sezonit palët kanë vendosur, me mirëkuptim të plotë, të ndajnë rrugët.
Megjithatë, e ardhmja e futbollistit shkodran duket se do të jetë sërish në elitën e futbollit shqiptar. Burime pranë gazetës “Shkodra Sport” bëjnë me dije se interesi për shërbimet e Delajt nuk mungon dhe ai pritet të zyrtarizohet shumë shpejt te një tjetër skuadër e Kategorisë Superiore. Edhe pse emri i klubit mbahet ende sekret, kontaktet mes palëve kanë nisur dhe negociatat po vijojnë.
Në këto momente bisedimet ndodhen në fazat e para, ndaj nuk ka ende një marrëveshje përfundimtare. Megjithatë, sinjalet janë pozitive dhe gjithçka të çon drejt faktit se 22-vjeçari do të ketë një destinacion të ri për sezonin 2026-2027, ku synimi i tij kryesor do të jetë të rikthehet protagonist dhe të fitojë minutat që i munguan gjatë eksperiencës me Elbasanin.
Java në vijim pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e sulmuesit shkodran, i cili është gati të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij, me shpresën se këtë herë do të gjejë ambientin ideal për të shfaqur vlerat e tij.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


