Wednesday, July 22, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREVetëm tre futbollistë mbi 30 vjeç, Vllaznia me një moshë mesatare të...

Vetëm tre futbollistë mbi 30 vjeç, Vllaznia me një moshë mesatare të re

Shkruar nga Endri ÇINARI

Vllaznia po vijon ndërtimin e skuadrës për sezonin e ri me një filozofi të qartë, duke u mbështetur te futbollistët e rinj dhe me perspektivë. Kjo reflektohet edhe te mosha mesatare e grupit aktual, e cila është vetëm 24.9 vjeç, një tregues që e vendos skuadrën kuqeblu mes ekipeve me profilin më të ri në kampionat. Një grup i tillë jo vetëm që premton energji dhe intensitet në fushën e lojës, por krijon edhe baza të forta për të ardhmen e klubit.

Pjesa dërrmuese e futbollistëve të organikës aktuale janë nën moshën 30-vjeçare, ndërsa vetëm tre lojtarë e kanë kaluar këtë prag. Bëhet fjalë për zëvendës kapitenin Erdenis Gurishta, 31 vjeç, Emiljano Mustën, 34 vjeç dhe sulmuesin Bekim Balaj, 35 vjeç. Të tre janë futbollistët me më shumë eksperiencë në skuadër dhe pritet të kenë një rol të rëndësishëm jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe si liderë të grupit.

Ndërkohë, Herald Marku dhe Kobiljar, të dy 30 vjeç, renditen mes futbollistëve më të “vjetër” të organikës, duke plotësuar bërthamën e eksperiencës që trajneri Martini do të ketë në dispozicion. Përreth tyre është ndërtuar një grup me lojtarë të rinj, të cilët kanë ende shumë hapësira për t’u rritur dhe për të rritur vlerën e tyre në tregun e transferimeve.

Një moshë mesatare prej 24.9 vjeç u jep kuqebluve mundësinë për të ndërtuar një projekt afatgjatë, pa qenë të detyruar të bëjnë ndryshime të shumta nga sezoni në sezon. Nëse ky grup arrin të ruhet dhe të konsolidohet, Vllaznia mund të krijojë një bërthamë të fortë për vitet në vazhdim, duke kombinuar freskinë e të rinjve me eksperiencën e futbollistëve më të afirmuar.

Natyrisht, rinia sjell edhe sfidat e saj, pasi një skuadër e re ka nevojë për kohë që të fitojë pjekurinë dhe vazhdimësinë në rezultate. Megjithatë, profili aktual i Vllaznisë lë të kuptohet se klubi po investon jo vetëm për sezonin e ri, por edhe për të ardhmen, me synimin për të ndërtuar një ekip konkurrues dhe të qëndrueshëm në vitet që vijnë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments