Thursday, July 23, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREPërgatitjet verore, Vllaznia në plan edhe ndeshje miqësore

Përgatitjet verore, Vllaznia në plan edhe ndeshje miqësore

Shkruar nga Endri ÇINARI

Pas eliminimit të hershëm nga Conference League dhe disa ditëve pushim të dhëna nga stafi teknik, Vllaznia rikthehet kësaj jave për të vijuar vijuar përgatitjet në prag të sezonit të ri. Kuqeblutë do të rivijojnë punën sërish, por pa ngarkesa të mëdha fizike, me synimin që skuadra të rifitojë gradualisht ritmin.

Trajneri Edi Martini dhe bashkëpunëtorët e tij kanë zgjedhur një program stërvitor me intensitet të moderuar, duke mos rrezikuar dëmtime të mundshme në këtë fazë të përgatitjeve. Pas një periudhe të ngarkuar me ndeshjet europiane dhe lodhjes së akumuluar, prioritet mbetet rikuperimi i plotë fizik i futbollistëve dhe përgatitja e tyre optimale për kampionatin.

Në ditët në vijim pritet që intensiteti i punës të rritet gradualisht, ndërsa skuadra do të vijojë të punojë edhe në aspektin taktik. Stafi teknik synon të përmirësojë elementët që u shfaqën problematikë në sfidat europiane, në mënyrë që Vllaznia të paraqitet sa më e konsoliduar në nisjen e edicionit të ri.

Një rol të rëndësishëm në këtë periudhë do të kenë edhe ndeshjet miqësore që pritet të zhvillojnë shkodranët përpara startit të kampionatit. Ato do t’i shërbejnë Martinit për të testuar gjendjen e skuadrës, për të provuar variante të ndryshme në formacion dhe për t’i dhënë minutat e nevojshme çdo futbollisti, në mënyrë që Vllaznia të mbërrijë sa më e përgatitur në sfidën e parë zyrtare të sezonit.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments