FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREE tregojnë shifrat, Vllaznia 'dominon' ndaj Partizanit

E tregojnë shifrat, Vllaznia ‘dominon’ ndaj Partizanit

Shkruar nga Endri ÇINARI

Vllaznia vjen në përballjen e radhës me Partizani me një statistikë që flet qartë në favor të kuqebluve. Në përballjet e fundit direkte, skuadra shkodrane ka arritur të ndërtojë një seri rezultatesh pozitive ndaj “demave”, duke e kthyer këtë duel në një nga sfidat ku ka pasur më shumë sukses në periudhën e fundit.

Në sezonin e kaluar, dy ekipet u përballën plot katër herë dhe bilanci ishte dukshëm në anën e Vllaznisë. Shkodranët fituan 4-1 në fazën e parë, ndërsa në duelin e dytë, të zhvilluar në Tiranë, ndeshja u mbyll në barazim 1-1. Dy përballjet e tjera sollën sërish fitore kuqeblu, fillimisht 1-0 në fazën e tretë dhe më pas 2-0 në fazën e katërt.

Pra, në katër ndeshje të sezonit të shkuar, Vllaznia regjistroi 3 fitore dhe 1 barazim, duke shënuar 8 gola dhe pësuar vetëm 2. Një bilanc i tillë tregon jo vetëm superioritetin në rezultate, por edhe traditën shumë pozitive në këto duele me të kuqte.

Edhe një sezon më herët, në kampionatin 2024-25, historia ishte sërish pozitive për kuqeblutë. Vllaznia arriti të triumfojë 2-0 në duelin e fazës së fundit, duke konfirmuar avantazhin e saj në përballjet direkte. Për të gjetur suksesin e fundit të Partizanit ndaj shkodranëve duhet të kthehemi pikërisht te 20 dhjetori 2024, kur “demat” fituan 2-0 në shtëpi.

Kështu, statistikat e viteve të fundit i japin Vllaznisë një avantazh të rëndësishëm psikologjik përpara sfidës së radhës. Partizani ka qenë një kundërshtar që kuqeblutë kanë ditur ta godasin, duke marrë rezultate të rëndësishme dhe duke treguar vazhdimisht efikasitet në këto përballje.

Tashmë mbetet për t’u parë nëse kjo traditë do të vazhdojë edhe në sfidën e radhës në “Loro Boriçi”. Shifrat janë në krahun e Vllaznisë, por në një duel të tillë, ku të dyja skuadrat kërkojnë pikët, gjithçka do të vendoset sërish në fushën e lojës.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments