Liga e Kampionëve rikthehet me ndryshime të rëndësishme në mënyrën se si do të gjykohen ndeshjet, pasi UEFA ka prezantuar direktiva të reja për gjyqtarët dhe përdorimin e VAR-it.
Mesazhi i UEFA-s është i qartë: gjyqtari kryesor duhet të ketë sërish rolin qendror në vendimmarrje, ndërsa teknologjia duhet të përdoret vetëm kur ekziston një gabim i qartë dhe i rëndësishëm.
Shefi i Gjyqtarëve të UEFA-s, Roberto Rosetti, e bëri të qartë këtë filozofi gjatë prezantimit të direktivave të reja.
“Duam që gjyqtari të jetë në qendër të vendimmarrjes. Nuk duam gjyqtarë që presin nga VAR-i për të marrë vendime. Vendimet duhet të merren në fushë dhe VAR-i të ndërhyjë vetëm për korrigjimin e gabimeve të qarta”, deklaroi Rosetti.
Sipas UEFA-s, synimi është që rregullat të interpretohen në mënyrë sa më të njëjtë në të gjitha kompeticionet dhe vendet evropiane.
VAR-i nuk duhet të kthehet në një proces të pafund
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me mënyrën se si gjyqtari duhet ta rishikojë një episod në monitor.
UEFA kërkon që kontrollet të jenë sa më efikase dhe të mos shkaktojnë vonesa të panevojshme.
Rishikimi duhet të përfundojë brenda një periudhe të arsyeshme, ndërsa gjyqtari duhet të përdorë disa pamje të përcaktuara për të kuptuar më mirë intensitetin, kontaktin, dinamikën dhe kontekstin e aksionit.
Fillimisht mund të përdoren përsëritje në një kënd më të ngushtë dhe me shpejtësi të reduktuar, përpara se të shihet aksioni në shpejtësi normale dhe nga një kënd më i gjerë.
VAR-i mund të korrigjojë edhe gabimet në identifikim
Teknologjia do të përdoret edhe në rastet kur gjyqtari ndëshkon lojtarin e gabuar.
Nëse një futbollist merr karton për një shkelje të kryer nga një tjetër, VAR-i mund të ndërhyjë për të korrigjuar identitetin e lojtarit.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se vetë vendimi për shkeljen do të rishikohet.
Një tjetër risi lidhet me kartonin e dytë të verdhë. Nëse ai jepet gabimisht, VAR-i mund ta thërrasë gjyqtarin për ta rishikuar episodin dhe për të korrigjuar vendimin.
Faullet pa top mund të rishikohen në raste të veçanta
VAR-i do të ketë mundësi të ndërhyjë edhe për faulle të kryera jashtë aksionit të topit, por vetëm kur episodi ka ndikim të drejtpërdrejtë në një gol, penallti apo një vendim tjetër të rëndësishëm.
Nëse një shkelje e tillë ndodh gjatë një goditjeje dënimi apo këndi dhe ndikon në aksion, vendimi mund të korrigjohet dhe rivënia të përsëritet.
Prekja me dorë në zonë: UEFA kërkon më shumë qartësi
UEFA ka vendosur të jetë më e prerë edhe sa i përket rasteve kur topi përfundon në dorën e një lojtari brenda zonës.
Rosetti ka kritikuar interpretimet e ndryshme të situatave të tilla dhe ka kërkuar që rregulli të zbatohet në mënyrë më uniforme.
Një nga episodet që është përmendur si shembull është rasti i Pubill në ndeshjen Barcelona–Atletico Madrid sezonin e kaluar, kur prekja me dorë nuk u ndëshkua me penallti.
Sipas qasjes së re të UEFA-s, situata të tilla synohet të trajtohen në mënyrë më të qartë dhe të njëtrajtshme.
Zëvendësimet do të duhet të kryhen më shpejt
Edhe zëvendësimet janë pjesë e direktivave të reja.
Një lojtar që zëvendësohet duhet të largohet nga fusha brenda 10 sekondash.
Nëse ai vonohet, futbollisti që do ta zëvendësojë duhet të presë deri në ndërprerjen e ardhshme dhe më pas të qëndrojë jashtë për një minutë para se të hyjë në lojë.
Rikthehen emocionet e Ligës së Kampionëve, vëmendja te super sfida në Madrid
Një parim i ngjashëm do të zbatohet edhe pas ndërhyrjeve mjekësore, me përjashtim të rasteve të caktuara, përfshirë portierët.
Vonimi i rivënieve mund të ndëshkohet
UEFA ka vendosur gjithashtu kufizime për vonesat gjatë rivënieve nga porta dhe goditjeve të këndit.
Nëse një rivënie nga porta vonohet përtej kohës së lejuar, skuadra kundërshtare mund të fitojë një goditje këndi. Në mënyrë të ngjashme, vonesat në ekzekutimin e një këndi mund të sjellin ndryshimin e zotërimit të topit.
Në rastet kur një goditje këndi është dhënë gabimisht, ajo mund të korrigjohet dhe të kthehet në rivënie nga porta vetëm kur gabimi është shumë i qartë dhe mund të identifikohet menjëherë.
UEFA nuk e aplikon “ligjin Prestianni”
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është se UEFA nuk do të aplikojë në kompeticionet e saj rregullin që parashikon karton të kuq vetëm për faktin që një futbollist mbulon gojën gjatë komunikimit me një kundërshtar.
Megjithatë, mbulimi i gojës për të fshehur komunikimin mund të konsiderohet sjellje antisportive dhe të ndëshkohet me karton të verdhë.
UEFA gjithashtu ruan të drejtën për të ndërmarrë procedura disiplinore në raste të caktuara.
Vetëm kapiteni duhet të komunikojë me gjyqtarin
Një tjetër direktivë e qartë është ajo që lidhet me komunikimin me gjyqtarin.
Në parim, vetëm kapiteni i skuadrës duhet t’i drejtohet gjyqtarit për të diskutuar vendimet.
Një minutë heshtje para çdo ndeshjeje në Ligën e Kampionëve, UEFA zbulon arsyen
Nëse futbollistë të tjerë afrohen për të protestuar apo për të kërkuar shpjegime, mund të ndëshkohen me karton të verdhë.
Protestat dhe braktisja e fushës
UEFA nuk do të aplikojë automatikisht kartonin e kuq ndaj lojtarëve që largohen nga fusha në shenjë proteste.
Megjithatë, rregullat mbeten të qarta: nëse një skuadër është përgjegjëse për ndërprerjen ose pezullimin e një ndeshjeje, veçanërisht nëse mbetet me më pak se shtatë lojtarë në fushë, ajo mund të konsiderohet humbëse e takimit.
Në këtë mënyrë, UEFA synon që në sezonin e ri të Ligës së Kampionëve të ketë më shumë autoritet për gjyqtarin në fushë, ndërsa VAR-i të përdoret si një mekanizëm korrigjues dhe jo si burimi kryesor i vendimmarrjes.


