Shkruar nga Endri ÇINARI
North United e ka nisur me një rezultat pozitiv aventurën e tij në Kategorinë e Tretë të futbollit shqiptar. Skuadra shkodrane, që këtë sezon militon për herë të parë në këtë nivel të futbollit tonë, ka arritur të marrë një barazim spektakolar në transfertë ndaj Korabit B, në një ndeshje të mbyllur me shifrat 3-3.
Dueli nuk nisi aspak mirë për ekipin e drejtuar nga trajneri Mani. Korabi B arriti të fitojë pjesën e parë me rezultatin 2-0, ndërsa në minutën e 50-të shënoi edhe golin e tretë, duke e vendosur North United përballë një misioni mjaft të vështirë. Në ato momente, gjithçka dukej se po shkonte drejt një humbjeje për debutuesit shkodranë.
Megjithatë, North United nuk u dorëzua dhe tregoi karakter në një situatë që dukej thuajse e pashpresë. Reagimi i skuadrës në pjesën e dytë ishte i shkëlqyer, ndërsa trajneri Mani goditi me zëvendësimet e kryera, të cilat ndihmuan ekipin të ndryshonte fytyrë dhe të rikthehej në lojë.
Goli i parë për shkodranët do të vinte në minutën e 65-të, kur Areola ngushtoi shifrat dhe rihapi takimin. Vetëm 11 minuta më vonë, në të 76-ën, do të ishte Velaj ai që do të gjente rrugën e rrjetës, duke e çuar rezultatin në 3-2 dhe duke shtuar shpresat për një rikthim të jashtëzakonshëm.
Momenti kulmor i ndeshjes do të vinte në minutën e 82-të. Sërish Areola do të shfaqej në skenë, duke realizuar golin e tij të dytë personal dhe të tretin për North United, që vulosi barazimin 3-3. Një përmbysje e pjesshme, por me vlerë të madhe për një skuadër që tregoi se kishte forcën për të reaguar edhe në momentet më të vështira.
Kështu, North United e nis me këmbë të mbarë debutimin në Kategorinë e Tretë, duke marrë një pikë në transfertë pas një ndeshjeje me dy tablo krejt të ndryshme. Përtej rezultatit, reagimi i pjesës së dytë është një sinjal pozitiv për skuadrën shkodrane, që synon të lërë gjurmën e saj në sezonin e parë në këtë kategori.


