FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORES’ka kohë për festë, Vllaznia në fushë për duelin me Vorën

S’ka kohë për festë, Vllaznia në fushë për duelin me Vorën

Shkruar nga Endri ÇINARI

Vllaznia duket se po futet gradualisht në rrugën e duhur, pas fitores 2-0 ndaj Tiranës në javën e tetë të kampionatit. Suksesi në klasiken e futbollit shqiptar ka rikthyer disi qetësinë në radhët e kuqebluve, të cilët e kishin nisur sezonin në mënyrë negative dhe tashmë kërkojnë të ndërtojnë mbi këtë rezultat pozitiv.

Megjithatë, për shkodranët nuk ka kohë për të festuar gjatë, pasi kalendari i ngjeshur i kampionatit i kërkon skuadrës të kthejë menjëherë vëmendjen te sfida e radhës. Në mesjavë, Vllaznia do të luajë në transfertë ndaj Vorës, në një përballje që i përket javës së nëntë të Superiores dhe që do të mbyllë fazën e parë të kampionatit.

Pikërisht për këtë arsye, stafi teknik i drejtuar nga Csaba Laszlo ka vendosur të mos humbasë kohë në përgatitjet për këtë takim. Edhe pse ndeshja me Tiranën u zhvillua të shtunën, kur pritej që futbollistët të përfitonin një ditë pushimi të dielën, planet kanë qenë të ndryshme.

Kështu, kuqeblutë kanë zbritur sërish në fushën e stadiumit “Loro Boriçi” ditën e diel, duke zhvilluar një seancë stërvitore pas suksesit në klasike. Natyrisht, duke marrë parasysh ngarkesën fizike të ndeshjes së fundit dhe ritmin e lartë të kalendarit, puna nuk ka qenë e përqendruar te intensiteti maksimal, por më tepër te rikuperimi dhe çlodhja e muskujve.

Në këtë mënyrë, Laszlo synon të menaxhojë sa më mirë gjendjen fizike të futbollistëve të tij, duke i mbajtur të gjithë të përqendruar dhe të gatshëm për sfidën e radhës. Fitorja ndaj Tiranës ka dhënë sinjale pozitive, por trajneri hungarez e di se skuadra ka ende shumë për të përmirësuar dhe se vazhdimësia e rezultateve mbetet thelbësore.

Tashmë, Vllaznisë i mbeten edhe dy ditë përgatitje, të hënën dhe të martën, përpara transfertës ndaj Vorës. Objektivi i shkodranëve është i qartë: të shfrytëzojnë momentin pozitiv të krijuar nga suksesi në klasike dhe ta mbyllin fazën e parë me një tjetër rezultat të mirë, që do t’i ndihmonte të fitonin më shumë besim për vazhdimësinë e sezonit.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments