Shkruar nga Endri ÇINARI
North United vijon formën e shkëlqyer në Kategorinë e Dytë, teksa ka regjistruar një tjetër fitore në javën e tretë të kampionatit. Ekipi shkodran ka marrë tri pikë me shumë vlera ndaj Adriatikut, duke konfirmuar nisjen pozitive të sezonit.
Edhe pse ishte skuadër pritëse në këtë përballje, North United e zhvilloi takimin në Durrës, në aneksin e stadiumit, për shkak të rrethanave të krijuara për këtë ndeshje. Megjithatë, kjo nuk e pengoi skuadrën e drejtuar nga Erjon Mani të siguronte fitoren.
Shkodranët kaluan në avantazh në minutën e 25-të, kur Ymeraj dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë North United epërsinë e parë. Adriatiku reagoi dhe arriti të barazojë shifrat përmes Hasanit, i cili realizoi nga pika e bardhë e penalltisë.
Në pjesën e dytë, North United u shfaq sërish më efikas dhe arriti të rikthejë avantazhin. Puka dhe Areola ishin autorët e dy golave që e çuan rezultatin në 3-1, duke krijuar një distancë të rëndësishme për skuadrën shkodrane.
Adriatiku nuk u dorëzua deri në fund dhe arriti të shkurtojë diferencën me Locin, duke e bërë minutat e fundit më të tensionuara. Megjithatë, North United administroi avantazhin dhe në fund mori fitoren me shifrat 3-2.
Pas tri javësh kampionat, North United numëron 7 pikë, rezultat që e pozicionon në vendin e tretë të renditjes. Skuadra e Erjon Manit konfirmon kështu një nisje mjaft premtuese, duke mbetur në grupin e ekipeve që po luftojnë në pjesën e sipërme të klasifikimit.


