Brajan Gruda po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në futbollin europian. Talenti me origjinë shqiptare ishte një nga protagonistët kryesorë të fitores së thellë 5-0 të Gjermanisë ndaj Holandës, duke konfirmuar potencialin e madh dhe duke marrë vlerësime të shumta nga emra të njohur të futbollit.
Futbollisti i Brightonit, i cili aktualisht është i huazuar te RB Leipzig, zhvilloi një ndeshje fantastike ndaj përfaqësueses së drejtuar nga Xavi Hernández. Gruda realizoi një gol dhe dhuroi dy asistime, duke u shpallur lojtari më i mirë i takimit. Kjo ishte gjithashtu humbja më e rëndë e Holandës në 67 vitet e fundit.
Por talenti 22-vjeçar ka tërhequr vëmendjen edhe të Lionel Messit. Në tetor të vitit 2025, argjentinasi e përzgjodhi Grudën mes dhjetë talenteve të rinj më premtues të futbollit botëror, duke i dhuruar një palë këpucë speciale Adidas F50 Vis10n.
Vetë Gruda nuk e ka fshehur admirimin për tetë herë fituesin e Topit të Artë. “Jam një admirues i madh i Messit. Ai është lojtari më i mirë i të gjitha kohërave. Të përzgjidhesh prej tij nuk është barrë, por një motivim i madh”, është shprehur futbollisti.
Së fundmi, ai ka marrë edhe një tjetër dhuratë të veçantë: këpucët F50 Messi El Último Tango, të lidhura me ndeshjen e 208-të të Messit me kombëtaren argjentinase. Nga ky edicion u prodhuan vetëm 208 palë në të gjithë botën.
Gruda ka zhvilluar vetëm dy ndeshje me Gjermaninë, por ka lënë menjëherë gjurmë. Në debutimin kundër Serbisë, të fituar 3-1, realizoi një gol spektakolar dhe regjistroi nëntë driblime të suksesshme nga 14 tentativa. Sipas Opta-s, gjatë dekadës së fundit vetëm Jamal Musiala ka arritur një shifër më të lartë për Gjermaninë në këtë aspekt, me 13 driblime të suksesshme.
Paraqitja ndaj Holandës ka sjellë edhe vlerësime të rëndësishme. Jürgen Klopp u impresionua nga Gruda dhe Scherhant, duke theksuar jo vetëm cilësitë teknike, por edhe përkushtimin dhe punën e tyre në fushë.
Edhe ish-kapiteni i Gjermanisë, Bastian Schweinsteiger, nuk i kurseu komplimentet: “Është një ëndërr të kesh në skuadër futbollistë si Wirtz, Scherhant apo Gruda. Ata janë lojtarë që bëjnë diferencën. Ky i fundit është i nivelit botëror”.
Ndërkohë, e ardhmja e sulmuesit duket se mund të jetë larg Brightonit. Leipzig ka një opsion blerjeje prej 30 milionë eurosh, që mund të aktivizohet në vitin 2027. Në garë për shërbimet e tij është edhe Bayerni, që e ka ndjekur prej kohësh.
Gruda, i lindur dhe i rritur në Gjermani, por me rrënjë shqiptare- me dy prindër nga Shkodra, po shndërrohet në një nga emrat më interesantë të brezit të ri të futbollit europian.


