Nga Ylvi RROJI
SHENDETI, DISIPLINA, LIDERSHIPI, RESPEKTI, BASHKEPUNIMI DHE SHPIRTI I FITORES – VLERAT QE DUHET TE BASHKOJNE
PRESIDENCEN
DREJTORIN TEKNIK
TRAJNERIN
STAFIN
FUTBOLLISTET
NE RRUGEN DREJT ELITES SE FUTBOLLIT SHQIPTAR !
Çfarë e bën një klub të madh? Vetëm trofetë, emrat e njohur dhe rezultatet? Sigurisht që jo! Madhështia ndërtohet edhe nga vlerat që një klub përfaqëson dhe mënyra se si njerëzit e tij i zbatojnë ato çdo ditë.
Për Vllazninë, që mbart historinë dhe krenarinë e Shkodrës, synimi duhet të jetë krijimi i një kulture fituese, ku çdo hallkë e klubit të ndihet pjesë e së njëjtës familje dhe të ketë të njëjtin objektiv.
GJITHÇKA FILLON NGA NJERIU. Shëndeti fizik dhe mendor, entuziazmi, kënaqësia në punë, vetëdisiplina dhe përgjegjësia janë baza e një futbollisti dhe profesionisti të mirë. Një trup i përgatitur, një mendje e qartë dhe një qëndrim pozitiv krijojnë kushtet për të dhënë maksimumin. Karriera dhe shpërblimi financiar kanë rëndësinë e tyre, por duhet të shoqërohen gjithmonë me integritet dhe ndershmëri.
PA LIDERSHIP NUK KA RRUGE TE QARTE. Presidenca duhet të japë vizionin, drejtori teknik të ndërtojë strategjinë sportive, trajneri të krijojë identitetin e skuadrës, ndërsa stafi të garantojë përgatitjen dhe zhvillimin e saj. Lidershipi nuk është vetëm të drejtosh, por të ndikosh pozitivisht, të japësh shembull dhe të fitosh besimin e të tjerëve.
Bekim Balaj është një nga përfaqësuesit më të mirë të kësaj filozofie te Vllaznia. Kapiten me personalitet, përvojë dhe autoritet, ai mishëron
lidershipin e vërtetë
di të shërbejë,
të bashkojë,
të ndikojë dhe të
frymëzojë shokët e skuadrës.
Me shembullin, përkushtimin dhe përgjegjësinë e tij,Bekim Balaj dëshmon se madhështia e një kapiteni nuk matet vetëm me golat, por edhe me aftësinë për të ngritur të tjerët, për të mbrojtur frymën e grupit dhe për të vendosur Vllazninë mbi gjithçka.
Një kapiten që nuk udhëheq vetëm me shiritin në krah, por me karakterin, shpirtin dhe vlerat që përcjell !
SKUADRA ESHTE FORCE, JO THJESHT NJE MBLEDHJE LOJTARESH. Miqësia, besnikëria, respekti, marrëdhëniet e mira dhe bujaria krijojnë bashkëpunim. Këmbëngulja, durimi, fleksibiliteti dhe kreativiteti ndihmojnë për të kapërcyer vështirësitë. Çdo futbollist duhet të dijë se suksesi i tij merr kuptim të plotë kur kontribuon edhe për ekipin.
RRITJA NUK KA FUND. Ambicia, pavarësia në vendimmarrje, urtësia, cilësia dhe përkushtimi duhet ta shtyjnë çdo pjesëtar të klubit të përmirësohet. Arritjet dhe fama janë rezultat i punës, jo zëvendësim i saj. Ekselenca kërkon vazhdimësi, ndërsa shpirti i fitores kërkon besim dhe guxim edhe pas një humbjeje.
Dhe mbi të gjitha duhet të mbizotërojë respekti, për stemën, historinë, tifozët, kundërshtarin dhe njëri-tjetrin. Dashuria për Vllazninë, mirënjohja për ata që kontribuojnë dhe ndershmëria në çdo veprim janë vlera që nuk maten me pikë në tabelë.
Këto nuk duhet të mbeten thjesht fjalë të bukura në letër. Duhet të kthehen në sjellje, vendime dhe veprime konkrete, nga zyra e presidencës deri në dhomën e zhveshjes dhe në fushën e lojës.
Vllaznia ka historinë, emrin dhe mbështetjen e një qyteti të tërë. Sfida është t’i bashkojë këto vlera me një organizim modern, me njerëz që besojnë te njëri-tjetri dhe punojnë për të njëjtin qëllim.
SEPSE TROFEUN E FITON SKUADRA NË FUSHE, POR MADHESHTINE E NJE KLUBI E NDERTOJNË VLERAT QE AI JETON ÇDO DITE !
Vllaznia nuk duhet të kërkojë vetëm futbollistë që dinë të fitojnë, por njerëz që dinë të jetojnë me vlerat e një klubi të madh.


