FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREDy mungesa në mesfushë, ja si pritet sot formacioni i Vllaznisë

Dy mungesa në mesfushë, ja si pritet sot formacioni i Vllaznisë

Shkruar nga Endri ÇINARI

Dy mungesa të rëndësishme në mesfushë e detyrojnë Csaba Laszlon të bëjë llogaritë ndryshe për sfidën e së shtunës ndaj Laçit, në javën e 13-të të Superiores. Dros dhe Obina, dy titullarë në ndeshjet e fundit, do t’a ndjekin takimin nga jashtë për shkak të pezullimit me kartona. Kësisoj, trajneri hungarez duhet të ndërhyjë në një repart ku kishte nisur të gjente stabilitet dhe të përcaktojë alternativat që do të marrin vendin e tyre në formacionin bazë.

Në portë pritet të mos ketë asnjë surprizë. Jukaj është kandidati kryesor për të mbrojtur katërkëndorin shkodran dhe paraqitjet e tij të fundit e kanë konfirmuar si një pikë të sigurt për Vllazninë. Gardiani kuqeblu ka fituar besimin e stafit teknik dhe pritet të jetë sërish titullar ndaj kurbinasve, në një ndeshje ku skuadra do të kërkojë të ruajë vazhdimësinë e rezultateve pozitive.

As në mbrojtje nuk parashikohen ndryshime të mëdha. Bardhi pritet në krahun e djathtë, ndërsa Avduli do të jetë në të majtë. Në qendër, dyshja Gurishta-Latifi mbetet favorite për të nisur nga minuta e parë, ashtu si në përballjen e fundit ndaj Partizanit. Megjithatë, një balotazh mbetet i hapur, pasi edhe Musta është alternativë për vendin e Latifit, duke i dhënë Laszlos një tjetër opsion për repartin defensiv.

Ndërhyrja më e madhe pritet në mesfushë. Marku shihet si një nga emrat që mund të nisë titullar, ndërsa përkrah tij pritet të pozicionohen Qato dhe Mehmeti. Ky i fundit është në balotazh me Tafilin për një vend në formacion, ndaj vendimi final i Laszlos do të varet edhe nga ideja taktike që do të aplikojë ndaj Laçit. Mungesa e Drosit dhe Obinës e ndryshon konfigurimin e këtij reparti dhe kërkon më shumë ekuilibër nga lojtarët që do të marrin përgjegjësitë.

Në repartin ofensiv, Bekim Balaj mbetet pika kryesore e referimit. Kapiteni pritet të jetë sërish në majën e sulmit, me Uldedajn dhe Muratajn që do t’a mbështesin nga krahët. Forma dhe pesha që Balaj ka në lojën e Vllaznisë e bëjnë atë një titullar të padiskutueshëm, ndërsa dyshja në krahë do të ketë detyrën të krijojë hapësira dhe të furnizojë sulmuesin shkodran me topa.

Në këtë mënyrë, Vllaznia pritet të paraqitet ndaj Laçit me disa ndryshime të detyruara, por me një objektiv të pandryshuar: fitoren. Kuqeblutë vijnë pas dy sukseseve radhazi ndaj Elbasanit dhe Partizanit dhe kërkojnë t’a çojnë në tre numrin e fitoreve radhazi në kampionat. Për Laszlon, sfida ndaj kurbinasve do të jetë një tjetër test për të treguar se sa alternativa ka skuadra dhe nëse grupi mund të ruajë ritmin edhe kur mungojnë dy prej titullarëve të mesfushës.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments