
Skuadrës velipojake i kanë mjaftuar vetëm 10 minuta për të arritur fitore në ndeshjen e sotme ndaj Ilirisë së Fushë- Krujës. Në ndeshjen e luajtur në fushën sportive “Adriatik” Të Velipojës, vendasit e kanë nisur në mënyrën më të mirë ndeshjen. Në minutën e 4-të, Lini ka pasuar brenda zonës tek sulmuesi Puka që fare pranë portës e ka dërguar topin në rrjetë. 1-0 shumë shpejt, çka jep qetësinë në kampin e Adës megjithatë ata duan edhe një gol tjetër dhe në fakt ai do vinte shumë shpejt. Në minutën e 10-të Tafa depërton bukur nga e djathta, nis një top në zonë tek Erkoçeviç që e stopon mirë me gjoks dhe gjuan menjëherë fort me të djathtën duke shënuar golin e dytë. Kaq do mjaftonte që tek Ada të vendosej qetësia. Në minutat e mëvonshme do jetë Iliria që zgjohet. Ajo luan më mirë, krijon raste por nuk arrin të shënojë. Gjithsesi rastet më të mira për të shënuar i ka patur sërish Ada me anë të Linit dhe Pukës. Pjesa e parë do mbyllej gjithsesi 2-0. Në të dytën loja e vendasve bie shumë. Lojtarët janë të kënaqur me avantazhin prej dy golash dhe nuk bëjnë asgjë për të shënuar të tretin. Iliria bën më shumë presion megjithatë porta e Selimajt nuk preket. Përfundimisht 2-0 përAdën e cila me fitoren e sotme është ngjitur në kuotën e 27 pikëve. Ja dhe rezultatet e ndeshjeve të tjera të luajtura sot:
BESËLIDHJA-TËRBUNI 2-0
Golat: Mrdakovic 2′, Malasi 53′
LUSHNJA-POGRADECI 0-1
Golat: Pengu 60′
ELBASANI-BURRELI 2-0
Golat: Jaupi 60′, E.Dalipi 90+2′
BUTRINTI-DINAMO 2-2
Golat: Muco 29′, Myrto 32′ / Naska 53′, Djarmati 72′ (pen)
ADA-ILIRIA 2-0
Golat: Puka 4′, Erkocevic 10′
KAMZA-GRAMSHI 1-0
Golat: Bytyci 46′ (pen)
NAFTËTARI-HIMARA 0-0
08.04.2013
PARTIZANI-MAMURRASI (20:00)
(Në “Qemal Stafa”)