Për futbollistët e Vllaznisë ka interesim edhe nga skuadra të tjera. Njëri prej tyre është mbrojtësi Mevlan Adili. Së fundmi, shqiptaro-maqedonasi shënoi golin e fitores me fanellën e Vllaznisë në ndeshjen ndaj Laçit, në finalen e Kupës së Shqipërisë, teksa ishte protagonisti kryesor i suksesit të ekipit shkodran. Ky gol ishte i vetmi për të në të gjithë sezonin.

Megjithatë, nga burime të “Shkodra Sport” mësohet se për Adilin, ka një interesim nga Maqedonia e Veriut. Emri i skuadrës nuk bëhet i ditur për momentin, por momentalisht ai është pa kontratë dhe në pritje të ofertave.

Të mërkurën, i ka përfunduar zyrtarisht kontrata dy-vjeçare, që ai ka patur me Vllazninë. Në këtë kontratë, nuk është parashikuar as aktivizimi me kuqeblutë në Kupat e Europës.

Adili, përveç faktit, që është duke kaluar disa ditë pushimi pranë familjes së tij në Maqedoninë e Veriut, po sheh edhe ofertat e tjera. Ai është në pritje të ofertave si nga vendi i tij, por kryesisht nga vende të tjera, për të kapur një kontratë të mirë dhe për të vazhduar karrierën e tij atje.
Maringlen ZHIVANI