Kundërshtari i Vllaznisë është Vllaznia dhe nuk duhet të mendojmë për skuadrat e tjera”- kështu është shprehur mbrojtësi i saj Mevlan Adili në pragndeshjen me Elbasanin.

Mbrojtësi ka dalë para gazetarëve në një konferencë për shtyp dhe ka folur edhe për takimin e nesërm për kupë me Elbasanin të cilin nuk e ka konsideruar një formalitet për t’u kryer. Ja si i është përgjigjur Adili pyetjeve të gazetarëve:


-Një formalitet për Vllazninë ndeshja e nesërme me Elbasanin?

Ndoshta është një formalitet për ju dhe gjithë të tjerët, por për ne është një ndeshje shumë e rëndësishme.Ne stërvitemi fort para çdo ndeshje, nesër është Elbasani kundër nesh, ndërsa ndeshjen e ardhshme do të jetë një kundërshtar tjetër më i fortë dhe ne përgatitemi për çdo eki në mënyrë të njëjtë.

-Në ndeshjet e para kemi parë një Vllaznisë të fortë. Jeni i kënaqur me atë çfarë ka dhënë skuadra?

Nuk ësntë e rastësishme që i kemi fituar ndeshjet e para. Ne i kemi pritur këto fitore dhe do të ishte diçka e papritur nëse nuk do t’i merrnim ato.

-Ka entuziasëm tek tifozët në rrjetet sociale. Ndikon për mirë kjo mbështetje tek ju?

Ne e ndjejmë këtë entuziasëm sepse Shkodra është një qytet që e do futbollin dhe kërkon gjithmonë më të mirën nga Vllaznia. Unë jam tash 9 muaj në këtë qytet dhe e di mirë sesa i rëndësishëm është futbolli për të gjithë njerëzit e tij dhe ndonëse ata nuk mund të jenë në mbështetjen tonë në stadium, shpresoj t’i gëzojmë në shtëpitë e tyre.

-Do mundet Vllaznia të luftojë fort në të dy fronte, si në kupë edhe në kampionat?

Ne kemi një kontigjent lojtarësh prej 25-26 lojtarësh dhe besoj se kemi kualitetet e duhura për të luftuar fort në të dy frontet, por më mirë t’ia lëmë kohës.

-Pak kohë më parë vendosët të rinovonit me Vllazninë për një kohë të gjatë. Cila ishte arsyeja që iu shtyu ta bënit një gjë të tillë?

Arsyeja ishte e thjeshtë sepse Vllaznia është një klub i madh, nuk kisha dëshirë ta ndërroja me asnjë ekip në Shqipëri, sepse nuk ka ndonjë ekip tjetër që bën diferencën. Vllaznia pavarësisht rezultateve të viteve të fundit, mbetet një klub i madh dhe në çdo moment pritet të rikthehet sërish në nivele të larta.

Kjo skuadër ka një tifozëri të madhe, Shkodra është një qytet fantastik dhe unë jam pritur mirë nga ana e stafit drejtues. Të mos harrojmë se një nga arsyet kryesore që më bëri të nënshkruaj edhe për dy vitet e tjera ka qenë ish- administratori Suad Lici që në çdo moment më ka përkrahur dhe ma ka bërë shumë më të lehtë të nënshkruaj pa as më të voglin dyshim dhe prandaj jam i kënaqur.

– Kë shihni si rivalët tuaj kryesorë në kampionat?

Të them të drejtën kundërshtarin më të fortë tonin shoh Vllazninë. Nëse ne bëjmë ato çfarë na thotë trajneri në stërvitje, besoj so të marrim rezultate shumë të mira.


-E gjithë vëmendja duket se është përqendruar tek sfida e javës së ardhshme me Tiranën. Edhe për ju kështu?

Po shikoni që ka një eufori të madhe, Vllaznia- Tirana, Tirana- Vllaznia. Mendoj se kampionati nuk e ka emrin Tiranë, kampionati e ka emrin Superliga dhe ne jemi të fokusuar tek të gjitha ndeshjet e tij. Mendoj se për ndeshjen me Tiranën, duhet të flasim kur t’i vijë koha sepse për momentin kemi përpara ndeshjen me Elbasanin./SHKODRA-SPORT.COM/