Agim Canaj është një ekspert në trajningun në Shqipëri, pasi ka drejtuar shumë ekipe, në Superiore apo dhe në Kategorinë e Parë, apo dhe nga ato që sot janë në Kategorinë e Dytë.
Trajneri me origjinë nga Vlora që ka bërë emër me Dinamon, si lojtar dhe trajner, tashmë drejton Korabin dhe tenton surprizën në Kupën e Shqipërisë.
Para ndeshjes në Kupën e Shqipërisë me kuqeblutë, ai ka pohuar: “Unë e njoh Vllazninë mirë, pasi edhe e kam drejtuar tri herë, është një ekip që i ka dhënë tonin edhe Superiores këtë sezon, pavarësisht situatave në javët e fundit që nuk janë aq të mira. Kështu që nisur nga fakti që luajmë në një fushe shumë të mirë, shkojmë që të tregojmë më të mirën tonë dhe të luajmë futboll.”
Normalisht që kampionati është ndryshe nga Kupa e Shqipërisë duke ditur situatat dhe objektivat që kemi. Kam vënë re që në ndeshjet e fundit skuadra ka bërë mirë duke u ngritur në aspektin moral dhe psikologjik, si skuadër kemi fituar dy ndeshje të rëndësishme me Besëlidhjen në Lezhë dhe Burrelin në Peshkopi.
Kupa është një kompeticion tjetër dhe ne jemi të mobilizuar. Dihet forca e Vllaznisë, luajmë në fushën e tyre, por djemtë janë të mobilizuar. Në këto ndeshje rrallë e ke shansin që të shkosh deri këtu, ndaj edhe djemtë po mobilizohen”.
“Në futboll ndodh gjithçka dhe kur luhet me një takim, atëherë çdo gjë varet në 90-të minuta apo dhe 120-të minuta. Unë e shoh në një këndvështrim tjetër, nuk dua që të fus ekipin në presion, por duhet që të jemi shumë të motivizuar ashtu si dhe në ndeshjet që kemi luajtur në kampionat”, – tha trajneri Agim Canaj në prag të ndeshjes me Vllazninë në Kupën e Shqipërisë./Vipsport/