Partizani po kalon periudhën më të vështirë të këtij sezoni dhe kjo situatë e të kuqve ka ngjallur reagimin e Agim Canaj. I ftuar në emisionin “Pressing”, ai ka kritika për deklaratat e Sormanit pas ndeshjes dhe bën thirrje se Partizani duhet të mbledhë veten dhe jo të vazhdojë të merret me arbitrat.
“I pashë ndeshjet me qëtësi. Më bën çudi mënyra sesi trajneri i Partizanit komenton pas ndeshjes. Të gjithë bëjnë punë, por ti duhet të gjesh produktivitetin në punën tënde. Unë shoh vetëm një presing lart, që nuk funksionon. Nuk quhet sukses nëse ti dominon kundërshtarin për çerek ore.
Trajneri duhet të dijë shumë mirë se çfarë të bëjë skuadra. Mund ta mbash gjithë ditën topin në zonën tënde, por nuk ka efektivitet. Partizani sulmon mirë, por zgjatet shumë dhe lë shumë hapësira. Lojtarët duhet të marrin përgjegjësi. Partizani është një skuadër që fiket. Tirana menaxhoi situatën në derbi, menaxhoi çdo situate më mirë, ndërsa Partizani xhiroi me dhjetë lojtarë.
Harxhoi shumë energji dhe u godit nga gabime ordinere. Partizani është në një stres, pasi mendon për të mbrojtur titullin. Është shumë e rëndësishme për trajnerin që të kërkojë pikët në këto momente për të rikthyer entuziazmin. Lojtarët dhe trajneri merreshin akoma me arbitrin, duhej të stabilizonin situatën”, deklaroi Canaj. /vipsport/