Trajneri i njohur Agim Canaj në një intervistë për median e shkruar ka analizuar kampionatin e Superiores duke u ndalur tek secili prej ekipeve pretendente. Njëkohësisht ai është ndalur edhe tek skema e kampionatin, të cilin ai vazhdon ta konsiderojë të gabuar.
“Janë rritur pretendimet deri në këtë moment. Ka hyrë fuqishëm Elbasani që po tregon rritje nga ndeshja në ndeshje. Jo vetëm në pikë, por po rritet edhe lojtarë. Ka lojtarë kyç që marri skuadrën për dore dhe janë pragmatistë. Po tregojnë vlera me Dinamon, Vllazninë, Egnatian apo këto që ishin baza vjet. Shoh Vllazninë që ka cilësi por edhe kur nuk krijon cilësi, ka elementë cilësor. Ka dy ekipe.
Egnatia po ringrihet nga kampionati i vjetshëm. Ka ndryshuar 5-6 lojtarë por drejtuesit kanë meritë sepse e kanë futur skuadrën në garë. Padyshim që këto skuadra kanë bërë që edhe të tjerat, Partizani, Tirana, Flamurtari janë skuadra që nuk e kanë përmbushur emrin që kanë. Është i vështirë sepse nuk ka shumë diferenca.
Duke mos anashkaluar edhe Teutën. Pjesa tjetër me këtë që kanë treguar, do të kapim atë pjesën që po vjen dhjetori dhe skuadrat kanë moment reflektimi ose investimi te ajo që kanë bërë dhe nga boshllëqet që kanë nga merkatoja e verës. E di se është shumë e vështirë që një lojtar cilësor, të gjendet në merkaton e janarit sepse të mirët, rrallë herë i lëshojnë në këtë periudhë.
Duke analizuar këtë situatë, them se pavarësisht se Dinamo mund të ketë oshilacione, është skuadër e mirëinvestuar për mendimin tim dhe e ka treguar në ndeshjet që ka fituar. Këto luhatje, normalisht e trondisin presidentin dhe stafin por eksperienca ndikon, mund të jetë periudhë kalimtare dhe ndryshon.
Alarmante këtu te ne është se ekipet nuk kanë mbështetje tifozësh sidomos Dinamo që luan jashtë Tiranës. Edhe ajo vlera humbet dhe brohoritjet janë efikase kur ka tifozë, gjë të cilën Dinamo nuk e ka këtë sezon”- është shprehur Agim Canaj.















