Lamtumira e José Mourinhos me Romën befasoi shumë njerëz, para së gjithash personin në fjalë. Ndonëse kanë kaluar vetëm pak ditë nga shkarkimi i tij nga klubi verdhekuq, e ardhmja e “Special One” është tashmë një temë e nxehtë në treg, me disa zëra edhe për një kontakt të mundshëm me Napolin, në kuadër të sezonit të ardhshëm. Krahas klubeve saudite, për të ka interes edhe nga Newcastle në Premier League.

Ndërkohë agjenti i tij Jorge Mendes foli rreth situatës së trajnerit portugez për “Record”, duke u shfaqur i qetë për të ardhmen e klientit luksoz: “Mourinho, sigurisht që nuk ka nevojë për prezantim. Titujt e fituar flasin për të, nuk është një trajner si shumica e të tjerëve. Ai do t’i ketë gjithmonë mundësitë e duhura, nuk do të ketë kurrë probleme për të gjetur një klub të ri”.

Një pasazh i shkurtër edhe mbi mundësinë e kalimit në Arabinë Saudite muajt e fundit, një eventualitet, megjithatë, i hedhur poshtë nga vetë Mourinho për të mbajtur besimin në marrëveshjen e tij me Romën.

Agjenti Mendes saktëson: “Situata është kështu: Mourinho pati mundësinë, disa muaj më parë, për të shkuar në Arabinë Saudite. Ai zgjodhi të mos shkonte atje, sepse donte të qëndronte në pankinën e Romës”./telesport/