Pas 9 viteve te skuadra e Karabak në kampionatin azerbajxhanas, Ansi Agolli, ka vendosur të largohet, ndërsa me shumë mundësi do të kërkojë një aventurë në kampionatin amerikan, i cili duket si mundësia më e vlefshme për të vazhduar karrierën edhe për shkak se atje jeton familja e ish-kapitenit të Kombëtares. Ishte vetë mbrojtësi që në një intervistë për “Sportal.az”, u shpreh se familja ka luajtur një rol të rëndësishëm për transferimin e tij drejt Amerikës, teksa komentoi edhe ndeshjen e tij të fundit me Karabak, edhe pse nuk u aktivizua.

“Nuk u zhgënjeva që nuk luajta këtë ndeshje, pasi e kam veshur këtë fanellë 317 herë dhe kjo do të thotë shumë për mua. Sigurisht, në vendimin për t’u larguar drejt Amerikës familja ka luajtur një rol madhor pasi ata jetojnë atje, në këtë mënyrë duhej të merrja vendimin e duhur në jetë. Por, mendoj së kam marrë vendimin e duhur. Si çdo fillim e ka një fund, edhe pse nuk do, jeta vazhdon. Do ta kem gjithnjë në memorie vitin 2014 kur u shpallëm kampionë”, tha Agolli.

Me Karabakun, Agolli, ka arritur suksese të mëdha, ndërsa përveç titullit kampion është aktivizuar në kompeticionet më të mëdha evropiane si Liga e Kampionëve apo Liga e Europës, ndërsa në shumë raste i është besuar shiriti i kapitenit. Në fund klubi azerbaxhanas ka përgatitur edhe një video përshëndetje për Agollin. /VipSport/