Agron Isufi ka qenë njëri nga ata persona që me tifozin e zjarrtë të Vllaznisë, Mondin, ka patur raporte shumë të afërta. Pikërisht për këtë arsye, ai ditën e djeshme është ndjerë shumë keq kur është detyruar t’i japë lamtumirën e parakohshme, Edmond Spatarit.

Ky i fundit u nda nga jeta në moshën 55-vjeçare, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë prej disa kohësh, teksa edhe në një gjendje të tillë nuk iu nda Vllaznisë dhe stadiumit deri para pak ditësh. Isufi, duke folur për TV1-Channel, tha disa fjalë për Mondin, teksa u shpreh se ai ishte ndër tifozët e veçantë të Vllaznisë, pasi nuk e ka ndjekur kush më shumë ekipin kuqeblu.

“Mondi e ka ndjekur Vllazninë deri në Gjirokastër. Ai ka qenë ndër tifozët e veçantë të Vllaznisë, bashkë me Tutin. Nuk ma merr mendja se e ka ndjekur kush Vllazninë më shumë se Mondi. Madje, edhe në 1997, ai ka dalë përpara armëve për të qetësuar situatën, sepse ka qenë edhe i mençur.

Kështu që, Mondi është i pavdekshëm për ne. Ishte një njeri i thjeshtë, një njeri i urtë, i mençur, tifoz shembullor me banderolat e tij kudo.

Dy orë përpara se të fillonte ndeshja ishte përpara stadiumit për të vendosur banderolat. Ai ishte edhe i qetë. Në çdo stërvitje ka shkuar për t’i ndjekur, ka qenë i veçantë. Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij.

Mondi nuk ka mundur të qëndrojë pa Vllazninë. Ai ka qenë i sëmurë dhe e ka pasur mendjen te Vllaznia. Madje, ai ashtu me shkop vinte për ta parë Vllazninë se si po ndahet.

Shumë ndeshje nuk i ka parë, vetëm duke vendosur banderola bashkë me shokët e tij, jo vetëm ky”,-mbylli prononcimin e tij, tifozi i Vllaznisë, Agron Isufi.
Maringlen ZHIVANI