Merkato dhe çështje. Superiorja ka zhvillime së fundmi dhe është trajneri Julian Ahmataj që ka paditur në Dhomën Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve klubin e Luftëtarit. Elbasanasi drejtoi vjet bluzinjtë, të cilët më pas e larguan.

Ahmataj kërkon pagat e padhëna, ashtu sikurse edhe ish-kapiteni Donald Rapo. Edhe ky i fundit i është drejtuar FSHF-së për të zgjidhur kontratën dhe për t’i njohur dhe shlyer detyrimet që klubi i Luftëtarit ka ndaj tij.

Në Gjirokastër edhe Fili ende nuk e ka tërhequr dokumentacionin. Për të interesohen disa klube. Veç Vllaznisë e Laçit, në garë është shtuar edhe Teuta, sikurse raporton e përditshmja “Panorama Sport”. Në faqen e parë të kësaj gazete veçohet edhe një lëvizje te Skënderbeu.

Eni Imami, mbrojtësi i cili u largua nga Tirana para pak ditësh, ka zgjedhur të luajë me korçarët. Trajneri Ilir Daja kërkon përforcime për mbrojtjen dhe ish-lojtari i Dinamos do të jetë një opsion për të. /abcnews/