Në historinë e Vllaznisë ka patur shumë emra të cilët kanë lënë gjurmë. Dikush më shumë dhe dikush më pak, kanë dhënë kontributin e tyre që ky klub të jetë një nga më të titulluarit në Shqipëri. Njëri prej tyre është ish-portieri Ahmet Meta.

Karriera e tij ka patur uljet dhe ngritjet e veta, dëmtimet por edhe vendimet për t’u larguar para kohe nga sporti. Ai ka lindur më 26 nëntor të vitit 1948. Trajneri i parë që e ka përzgjedhur ka qenë Zija Tahiri, njeriu që i mësoi gjërat e para mbi lojën e portierit. Madje i pat dhuruar edhe librin e një futbollisti çek ku shpjegoheshin edhe me figura vendosjet e portierit dhe shumë gjëra të tjera mbi këtë rol.

Pra, mësimet e para i kam marrë nga ky trajner. Pastaj është rregjistruar në ekipin e futbollit të shtëpisë së pionerit me trajnerin e madh Ernest Halepjani dhe në atë ekip për herë të parë ka parë edhe Medin Zhegën dhe futbollistë të tjerë.

Ka luajtur me ekipin e shtëpisë së pionerit në Spartakiadat që ato vite zhvilloheshin në Durrës. Pas këtyre Spartakiadave, në Shkodër janë krijuar disa ekipe të rinjsh dhe zhvillohet edhe një kupë me pjesmarrjen e tre ekipeve të të rinjve të Shkodrës dhe një të Lezhës.

Ahmet Meta bën pjesë në ekipin e tretë me trajner Gjon Simonin dhe më pas ka kaluar tek ekipi i të rinjve të Vllaznisë. Me ekipin e parë të Vllaznisë është thirrur në moshën 18 vjeçare, saktësisht më 27 nëntor 1966. Ndodhi kështu sepse Paulin Ndoja në atë kohë ikën ushtar dhe Ahmet Meta bëhet portieri rezervë i Zija Danit.

Për dy vite me rradhë, do të ishte portier i dytë derisa Ndoja lirohet nga ushtria e kthehet sërish në Shkodër,
Luan me ekipin “Shpresa” të Vllaznisë në sezonin 1968-69 që në atë kohë kishte trajner Rifat Rusin dhe ndihmës Hasan Hasën, por ndërkohë bën stërvitje me ekipin e parë.

Në periudhën e mëvonshme kalon tek Besëlidhja sepse në janar të vitit 1970 shkon ushtar në Lezhë. Në atë periudhë Besëlidhja ishte në kategorinë e dytë dhe në fund të atij sezoni fiton të drejtën për të luajtur në kategorinë e parë dhe për t’u ndeshur me Vllazninë, Tiranën, Partizanin, Dinamon etj.

Kthehet nga ushtria dhe i bashkohet sërish ekipit të Vllaznisë. Largimi nga sporti i Paulin Ndojës për arsye biografie, i hap rrugën aktivizimit të Ahmet Metës si titullar me ekipin shkodran. Por që në ndeshjen e parë e pëson keq. Më 16 shtator 1973 gjatë një ndeshje dëmtohet pas një përplasje, bie në tokë dhe thyen kaviljen.

Për pasojë, për 6 muaj është larg ekipit dhe në këtë kohë në portë futet portieri i ri 18 vjeçari Isa Sukaj që luan shumicën e ndeshjeve të kampionatit ndërsa Ahmet Meta luan vetëm në 9 ndeshjet e fundit. Megjithatë të dy ata kanë kontribuar që Vllaznia të shpallej kampione e vendit në sezonin 1973-74.

Ka mbrojtur portën e Vllaznisë në ndeshjen miqësore me ekipin e Kinës që drejtohej në atë kohë nga Loro Boriçi dhe po ashtu edhe ndaj Kombëtares Shpresa të Algjerisë. Në këtë të fundit, Vllaznia ka fituar 1-0 me golin e Ismet Hoxhës. Pas një ndeshje me Besën ku pëson tre gola, drejtuesit e klubit e lënë fillimisht në stol dhe më pas e largojnë përgjithmonë nga futbolli. Një vendim që vjen pikërisht kur ai ishte në një moshë kur kishte ende për të dhënë.

Megjithatë gjithmonë është shprehur se aktivizimi me Vllazninë i ka dhënë një kënaqësi të madhe dhe po ashtu edhe puna me portierë të mirënjohur si Paulin Ndoja dhe Zija Dani prej të cilëve ka përfituar jo pak.Ahmet Meta është pjesë e Vllaznisë deri në sezonin 1975-76 dhe më pas e detyrojnë ta braktistin ëndrrën e tij të madhe.

Pas lënies së sportit nis punë si trajner moshash ndërkohë që vitet e fundit ka punuar pranë shoqatës “The Door” si tek futbolli i moshave ashtu edhe tek ekipi i femrave. Mbetet një emër i nderuar i futbollit shkodran. Ditën e sotme, Ahmet Meta feston 71 vjetorin e lindjes dhe gazeta “Shkodra Sport” i uron edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Gjergj KOLA