Çështja “Isco” vijon të nxisë debate. Me trajnerin argjentinas, futbollisti nga Malaga është shndërruar në zgjedhje të dytë te formacioni i Real Madrid, duke humbur statusin e tij si futbollist i rëndësishëm në ekip.
Deri tani trajneri Santiago Solari ka udhëhequr Los Blancos në 17 ndeshje, prej të cilave mesfushori spanjoll ka luajtur vetëm në 11 takime, si titullar dhe zëvendësues. Në total, nga 11 ndeshjet e zhvilluara nën drejtimin e teknikut argjentinas, Isco numëron 3 humbje, 7 fitore dhe 1 barazim.
Ndërkohë sundon një fakt shkatërrimtar për futbollistin nga Malaga, që nuk është aktivizuar për asnjë minutë në 6 ndeshje të tjera. Pikërisht në 6 ndeshjet e nën drejtimin e Solarit, në të cilat nuk është aktivizuar Isco, skuadra e Real Madrid ka regjistruar një bilanc fantastik, me plot 6 fitore.
Çështja “Isco” lindi në Romë, kur Solari nuk e aktivizoi, duke preferuar Llorente. Real Madrid fitoi 0-2. Në Kupë, Isco nuk udhëtoi në Melilla për në takimin e parë të fazës së eliminimit. Ekipi i Solarit fitoi 0-4, ndërkohë që Isco publikoi një foto teksa festonte “Halloween” me familjen, teksa skuadra e tij luante.
Në Kupën e Botës për klubet ai luajti vetëm 22 minuta në gjysmëfinale, ndërkohë që u la jashtë fushe në finale e fituar nga Madrid ndaj Al-Ain me rezultatin 4-1. Isco nuk ka luajtur asnjë minutë as në 3 ndeshje të La Ligas, përkatësisht ndaj Celta, Rayo dhe Betis, të gjitha të fituara nga Los Blancos./telesport/