Akuzat e trajnerit të Kukësit, Diego Longo, pas sfidës së humbur 4-0 me Tiranën, kanë habitur menaxherin Shkumbin Qormemeti. Ky i fundit u akuzua nga trajneri italian si shkaktar i humbjes së thellë, pasi kishte vonuar dokumentacionin e Jorgo Pëllumbit, si përfaqësuesi i tij, duke bërë të pamundur aktivizimin e lojtarit për sfidën e sotme.
Këto ishin akuza të rënda publike, për të cilat Qormemeti ka dhënë ekskluzivisht për “Panorama Sport” një shpjegim të qartë për atë që ka ndodhur.
“Nuk kam asnjë lidhje me transferimin e futbollistit Pëllumbi. në dijeninë time është marrë Pero Pejiç direkt me klubin e Varazhdinit. Nuk e kuptoj se përse më ka përmendur mua zoti Longo. ndoshta i ka djegur shumë humbja me Tiranën dhe hidhërimin përpiqet ta shkarkojë diku tjetër.
Por po gabohet. ndoshta ai nuk ka eksperiencë dhe nuk e kupton që Shkumbin Qormemeti nuk është federatë që regjistron lojtarët. Ai është krejtësisht gabim. Mua më kanë telefonuar sot në mëngjes dhe më kanë thënë që nuk po federojmë dot Pëllumbin. U thashë se nuk kam asnjë lidhje në këtë transferim. Nuk e kuptoj përse më ka përmendur”, deklaroi menaxheri i njohur Shkumbin Qormemeti.