Pas infektimit të Benjamin Pavard, e gjithë skuadra e Bayern mund të futet në karantinë. Departamenti shëndetësor në Bavari, po studion mundësinë e marrjes së masave për izolimin e të gjithë futbollistëve që drejtohen nga Hansi Flick.
Autoritetet shëndetësore në Gjermani kanë të drejtë të vendosin në karantinë një ndërmarrje apo shoqëri, në varësi të respektimit të rregullave të parashikuara në protokoll.
Masat e nevojshme merren në bazë të rezultateve të hetimeve. Për rastin në fjalë, pra të Bayernit, hetimet vijojnë. Bavarezët luajnë këtë të shtunë kundër Eintracht Frakfurt, më pas i pret transferta me Lazion në Champions League.
Hetimet do të zbulojnë nëse lojtari i infektuar, në këtë rast Pavard, ka patur kontakte me futbollistët e tjerë të Bayernit. Para francezit rezultoi pozitiv Thomas Muller, ndërsa më herët Goretzka dhe Havi Martinez, tashmë të shëruar.