Vllaznia u rikthye në elitën e futbollit shqiptar, por duket se asgjë nuk do ta ketë të lehtë. Me zgjedhjet që e mban peng, klubi nuk mund të hedhë asnjë hap konkret për rindërtimin e ekipit.
Dhe, që të shmanget drama e dy viteve më parë, tashmë duhet një projekt ambicioz dhe merkato cilësore. I këtij mendimi është Alen Sherri, i cili uron që klubi të mësojë nga gabimet e së shkuarës.
Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, portieri rrëfen se ka pasur disa oferta dhe mbetet i pavendosur për të ardhmen, përtej dëshirës së drejtuesve për ta mbajtur edhe në Kategorinë Superiore.
Pasi ngjitët ekipin në Superiore, çfarë pret nga sezoni i ardhshëm Alen Sherri?
Ishte një sezon që kaloi me sukses. Dhe për fat shkoi kështu, pasi nuk mund të rrinim më shumë se një vit në atë kategori.
Pritshmëritë për sezonin e ri janë të qarta, duhet që fillimisht të mos përsëriten ato që ndodhën dy vite më parë, që ndikuan deri në rënien tonë në të Parën. Duam që të jemi sa më lart në klasifikim dhe as të mos e diskutojmë më mbijetesën.
Dhe çfarë duhet bërë ndryshe për të mos pasur të njëjtin fat si dy vite më parë?
Duhet të mësojmë nga gabimet e bëra, pasi nëse nuk mësojmë prej tyre, përsëritet historia. Kambanat ranë para dy sezonesh dhe ne ramë një kategori më poshtë, por tani nuk ka më kohë dhe duhet që të reagojmë.
Folëm për të ardhmen e ekipit, por me Sherrin çfarë do të bëhet?
Për momentin nuk e kam idenë më të vogël se çfarë do të bëhet me të ardhmen time. Kam edhe një vit me ekipin e Vllaznisë dhe kushdo që interesohet për mua, duhet të flasë fillimisht me klubin, pasi kam ende kontratë. Dëshiroj që të vazhdoj me këtë ekip dhe të tregoj vlerat e mia në Kategorinë Superiore. Shpresoj që të jetë sezoni im.
Oferta a ke pasur?
Kam pasur dhe vazhdojnë të më vijnë oferta. Nuk dua të flas me emra konkretë. Por, këto mbeten për t’u parë. E thashë, momentalisht mendoj vetëm Vllazninë.
A është e gatshme Vllaznia për të bërë një sezon të mirë?
Mendoj se me ekipin aktual nuk është e gatshme për Superiore. Duhen bërë ndërhyrje aty ku klubi e sheh të arsyeshme se duhen bërë.
Mendoj se Vllaznia është ekip me emër të madh dhe mund të tërheqë futbollistë. Klubi duhet të investojë, pasi çdo vit po shihet se klubi që po bën më shumë investime, po fiton edhe titullin kampion.