Nga Gjergj KOLA
Nëse flasim për volejbollin në Shkodër, padyshim që emri i parë tek i cili duhet të ndalemi është ai i Ali Bushatit, ikonës së këtij sporti në kryeqendrën e Veriut dhe të gjithë Shqipërisë. Një sportist i kompletuar që ka lënë gjurmë të thella në volejbollin shqiptar.
Po ndalemi sot tek ky personazh sepse kjo ditë përkon me 83-vjetorin e lindjes së tij, dhe “Shkodra Sport” po e rikujton edhe një herë këtë legjendë të volejbollit shkodran.
Ali Bushati ka lindur më 24 tetor 1942 në Shkodër dhe zgjodhi të merret me volejboll, një sport me të cilin ka arritur të bëjë emër dhe që e ka njohur e gjithë Shqipëria për talentin e tij të jashtëzakonshëm, shkruan shkodrasport.com
Ai ka zhvilluar rreth 60 ndeshje ndërkombëtare (25 me ekipin kombëtar). Për shtatë vjet, ekipi i Vllaznisë, i udhëhequr nga Ali Bushati (trajner-lojtar) dhe me trajnerë si Franc Jakova, Tonin Fistani, Sandër Paloka, Viktor Jubani, Mark Grimci, Xhelal Haxhi, Bato Lashova etj., ka rivalizuar për titull me Dinamon. Kjo e fundit e huazonte shpesh për ndeshjet e Kupës së Kampioneve të Europës.
Padyshim, Bushati ka lënë një epokë të paharrueshme në volejbollin shkodran dhe mbetet figura më e madhe e këtij sporti në Shkodër. Ai është përfshirë edhe në listën e 10 figurave më të mëdha të shekullit të 20-të në volejbollin shqiptar. Njeriu i virtuozitetit të topit në rrjetë është renditur në gjashtëshen më të madhe të volejbollit shqiptar dhe është i katërti pas Asllan Rusit, Dashamir Fagut dhe Petrit Murzakut.
Shpirti i lartë i garës, lufta e fortë sportive, dëshira për fitore, vlerësimi maksimal për çdo ndeshje dhe cilësitë e tij universale si shërbues, pasues, organizator dhe bllokues, kanë qenë karakteristikat kryesore që e bënë të veçantë. Për këto arsye, ai është vlerësuar me tituj të shumtë dhe është njohur si një nga më të mirët në sportin e volejbollit.
23 janari i vitit 2021 do të mbetet një ditë e zezë për volejbollin shkodran. Në këtë ditë, u nda nga jeta në moshën 78 vjeçare legjenda e volejbollit shkodran dhe shqiptar, Ali Bushati. Megjithatë, kujtimi i tij do të mbetet gjithmonë mes nesh, ashtu si dhe “bemat” e tij në parketet e pallateve të sportit ku ai ka luajtur.(www.shkodrasport.com)







