✍️ Shkruar nga Gjergj KOLA
Prej dy vitesh ai është rikthyer sërish pranë pasionit të madh të rinisë së tij, pikërisht boksit. E kemi fjalën për Mondi Ndoun, i cili fillimisht u bë sponsor, më pas promotor i boksit profesionist dhe prej një viti edhe president i ekipit të boksit të Vllaznisë.
Po ndalemi sot tek ky personazh sepse kjo ditë përkon me atë të 52 vjetorit të lindjes së tij dhe me këtë rast, në emër të redaksisë së gazetës “Shkodra Sport” dhe gjithë lexuesve të saj i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Mondi ka qenë ndër të parët boksierë të Shqipërisë pas rifillimit të këtij sporti në vendin tonë pas viteve ’90. Madje ai është kampioni i parë i boksit për të rinj bashkë me dy sportistë të tjerë të Vllaznisë. Do të vazhdonte konkurronte në nivele të larta deri në vitin 1997 sepse më pas do të largohej fillimisht drejt Anglisë, ndërkohë që vitet e fundit është spostuar në Gjermani.
Sëashhku me të vëllanë, Gjovalinin, edhe ky ish- boksier, kanë formuar kompaninë “LCF Elektro” ku janë shumë të suksesshëm, ndërkohë që me krijimin e mundësive financiare, i rihodhën sërish sytë drejt boksit. Kanë organizuar tre aktivitete të mëdha të boksit profesionist, duke sjellë një risi nga mënyra e organizimit dhe shumë gjëra të tjera.
Po ashtu, në aktivitetin e organizuar në Shkodër solli dy kampionë të mëdhenj të boksit botëror si Roy Jones Jr dhe David Haye duke treguar qartë ambiciet e tij për të sjellë diçka ndryshme në boksin shqiptar. Synimet e Mondit janë që boksierët më të mirë të Shqipërisë të promovohen si duhet në arenën ndërkombëtare përr të treguar vlerat e tyre.
Njëkohësisht ai është zgjedhur edhe president i ekipit të Vllaznisë me të cilin dy muaj më parë u shpall kampion i Shqipërisë për herë të 26-të. Ky është profili i Mondi Ndout, ish- boksierit tashmë biznesmen dhe president që nuk ka dëshirë të heqë dorë kollaj nga pasioni i tij i madh për sportin.
Shumat financiare që ai ka shpenzuar për sportin e boksit tash dy vite janë tregues më i mirë i dashurisë që ai ka ende për dorezat dhe komuniteti i këtij sporti padyshim që duhet t’i jetë mirënjohës për atë që ka bërë deri tani, por edhe ato që ka ndërr mend të bëjë në të ardhmen.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”















