Wednesday, March 18, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREALMANAK/ Sot ditëlindja e Muhamet Tuzit, trajnerit të peshëngritësve kampionë

ALMANAK/ Sot ditëlindja e Muhamet Tuzit, trajnerit të peshëngritësve kampionë

Shkruar nga Gjergj KOLA

Sporti i peshëngritjes në Shkodër ka nxjerrë ndër vite emra të shquar, kampionë e rekordmenë të mëdhenj, të cilët kanë hyrë tashmë në historinë e këtij sporti për kontributin e tyre të vyer.

Por ka edhe nga ata që, përveç karrierës si sportistë, kanë lënë gjurmë edhe si trajnerë. Njëri prej tyre është pikërisht Muhamet Tuzi. Ndaj sot ndalemi te ky personazh, pasi feston ditëlindjen. Ai mbush 72 vjeç dhe, me këtë rast, Gazeta “Shkodra Sport” i uron edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Muhamet Tuzi ka lindur në Shkodër më 18 mars 1954 dhe në moshën 16-vjeçare vendosi të merrej me peshëngritje, duke pasur si trajner të parë Maliq Grudën. Në vitin 1974, duke konkurruar me ekipin e të rriturve të Vllaznisë, arriti normën e kategorisë së parë, nën drejtimin e trajnerëve Gjovalin Çuni dhe Hamza Çelaj.

Po në këtë vit nisi studimet në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi” në Tiranë dhe, si rrjedhojë, u bë pjesë e ekipit të Studentit. Gjatë viteve të studimit, ai përfaqësoi këtë ekip në të gjitha aktivitetet kombëtare.

Në vitin 1978 u rikthye në Shkodër dhe njëkohësisht rifilloi stërvitjen me ekipin e Vllaznisë, duke bërë paraqitje shumë të mira në të gjitha garat ku mori pjesë. Ai ndihmoi ekipin në plotësimin e kategorive të peshave sipas nevojës, duke dhënë pikë të rëndësishme për renditjen ekipore. Karrierën si sportist e vazhdoi deri në vitin 1985 dhe në vitet e fundit të saj ishte njëkohësisht edhe sportist, edhe trajner i ekipit të paratërinjve të Vllaznisë.

Në vitin 1998 nisi punën si trajner, duke u angazhuar kryesisht me moshat, por edhe me të rriturit. Nën drejtimin e tij, Vllaznia u shpall tri herë kampione e Shqipërisë dhe fitoi dy herë Kupën e Shqipërisë. Për disa vite me radhë, Muhamet Tuzi ka qenë edhe trajner i ekipit tonë kombëtar.

Ndër sportistët më elitarë që ai ka stërvitur mund të përmendim Renato Sulkjan, Erkand Qerimajn në fillimet e tij, si dhe më pas Xhulio Prronin dhe Emanuel Lushin, të cilët kanë arritur rezultate të larta jo vetëm në garat kombëtare, por edhe në ato ndërkombëtare, duke fituar edhe medalje. Karrierën si trajner e mbylli me sportistin Stiven Krajni, në vitin 2019, kur doli në pension./www.shkodrasport.com/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments