Në të tre ndeshjet e këtij fillim-kampionati ka qenë titullar në fushë për 90 minuta dhe ka dhënë më të mirën e tij. Alsid Tafili ndihet I kënaqur me këtë gjë madje premton se po punon shumë në stërvitje për t’u rritur edhe më shumë në fushë dhe për ta ndihmuar ekipin. Kuptohet që edhe ai ka kontributin e tij në dy fitoret e fundit ndaj Kukësit dhe Tiranës. Pikërisht duke folur në lidhje me këto dy ndeshje, ai do të thoshte kështu për “Sporti Shqiptar” : “Ekipi ka bërë atë që ka kërkuar trajneri. Ne të gjithë e kemi ditur rëndësinë e dy ndeshjeve të fundit, sidomos pas asaj humbje ndoshta të papritur në takimin e parë me Flamurtarin. Kemi dhënë maksimumin në fushë dhe prandaj erdhën edhe dy fitoret me Kukësin dhe Tiranën.

Kemi punuar shumë gjatë kësaj periudhe. Në ekip ka një harmoni të madhe mes futbollistëve dhe stafit drejtues dhe çdo gjë po shkon mirë prandaj po vijnë edhe rezultatet”.  Ka qenë në fushë në të tre ndeshjet dhe përgjithësisht ka marrë vlerësime positive nga ana e stafit drejtues. Tafili tashmë ka krijuar profilin e një mesfushori të qendrës që e njeh mirë lojën me topin dhe ka aftësi në organizimin e saj. I pyetur nëse ndjehet I kënaqur që ka fituar besimin e trajnerit Canaj për aktivizimin si titullar, mesfushori 26 vjeçar do të shprehej: “Ndihem mirë kur luaj dhe shpërblehem për punën që bëj, për përkushtimin që tregoj në fushën e stërvitjes dhe të lojës. Kam dhënë dhe do vazhdoj të jap më të mirën për veten dhe për ekipin. Për të ruajtur këtë formë por edhe për t’u rritur më shumë, sigurisht që punoj fort çdo ditë në stërvitje dhe përderisa trajneri më beson vendin në formacion, kjo më obligon të punoj edhe më shumë për të kënaqur atë, veten dhe familjen time”. Fitoret në dy ndeshjet e fundit e kanë rritur entuziasmin në kampin shkodran. Kjo të bën të mendosh se mund të ketë ndonjë shenjë nënvlerësimi për takimin e rradhës me Lushnjën megjithatë Alsid Tafili nuk mendon kështu prandaj shton: “Në Lushnjë rëndësi ka me e menaxhu mirë ndeshjen. Kurrsesi nuk duhet ta marrim të lehtë. Aq më shumë që Lushnja I ka fituar të dyja ndeshjet në fushën e saj këtë sezon. Nëse e vlerësojmë edhe këtë ndeshje si këto dy të tjerat që kaluan, ju garantoj se nuk do kthehemi pa pikë nga Lushnja”. Tafili, Belisha, Kruja, Bardulla, Dema, Ramadani, Shtubina, Hajdari, të gjithë këta emra të mesfushës kuqeblu janë shkodranë. Ka edhe më shumë. Përbërja e Vllaznisë në këtë sezon, 90 për qind është me shkodranë dhe ky konsiderohet një sukses për mënyrën sesi është ndërtuar skuadra këtë sezon. Numri 5 I kuqebluve mendon se ky faktor ndikon edhe në rritjen e harmonisë në rradhët e ekipit. “Ekipi vërtetë ka një përbërje 90 për qind me shkodranë por të mos harrojmë se të gjithë futbollistët kanë një përvojë dhe një eksperiencë prej disa kampionatesh mbi shpinë. Pa harruar edhe disa djem të rinj që po luajnë fort. Duke qenë shumica shkodranë, kuptohet që secili prej nesh jep më të mirën në fushën e lojës sepse e ndjen këtë emër, e ndjen këtë fanellë prandaj dhe grupi ka harmoni”- ka thënë ai. Atmosfera kësisoj duket entuziaste në pragndeshjen me Lushnjën. Shkodranët kanë besim se mund t’ia dalin të marrin një tjetër rezultat pozitiv. Mundësitë I kanë por duhet edhe angazhim maksimal ashtu si në dy ndeshjet e fundit.
Gjergj KOLA